Macron lufton të mbajë epërsinë përpara zgjedhjeve të së dielës

116
Sigal

Votuesit në Francë shkojnë në qendrat e votimit të dielën (10 prill) në raundin e parë të zgjedhjeve me dy raunde që mund të shohin presidentin e qendrës Emmanuel Macron të bëhet udhëheqësi i parë francez, që fiton një mandat të dytë në gati dy dekada. Por epërsia dikur e rehatshme e zotit Macron është ulur për këtë raund të parë, pasi kandidatja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen është pranë tij në vendin e dytë, mes shqetësimeve për një pjesëmarrje historikisht të ulët në votime.

Punonjësit elektoralë të Emmanuel Macronit, e kanë të vështirë të tërheqin vëmendjen e parizienëve që kthehen në shtëpi nga puna. Një çift i refuzon fletushkat e tyre pasi ata mbështesin kandidatin presidencial të së majtës ekstreme Jean-Luc Melenchon.

Më në fund, një mbështetës i Macronit.

Për mua ai është kandidati me programin më të mirë për Francën. Gjatë mandatit të tij, ai ka bërë shumë për të rinjtë, për punë, për sigurinë”, thotë Anselme Kassarate.

Deri para pak kohësh, zgjedhjet presidenciale dukeshin si të përcaktuara qartë. Emanuel Macroni kryesonte me mbi 30 për qind në sondazhe… mbështetja e tij u rrit nga përgjigja ndaj luftës në Ukrainë.

Por sot, rivalja kryesore e Macronit – udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen – është vetëm disa pikë pas tij. Disa sondazhe tregojnë një garë edhe më të ngushtë, nëse Le Peni përballet me Macron në balotazh në raundin e dytë më 24 prill.

“Ajo duket se është më pranë shqetësimeve të shumë francezëve. Them se ajo po përfiton gjithashtu nga një urrejtje e vërtetë që Macroni ngjall për shumë njerëz në të djathtën ekstreme, të majtën ekstreme dhe ndonjëherë edhe mes atyre të qendrës”, thotë analisti politik Nicole Bacharan.

Kjo është kandidatura e tretë presidenciale për Le Penin. Ajo ka arritur të zbusë imazhin e saj kundër emigracionit dhe skepticizmin ndaj BE-së. Fushata e saj përqëndrohet në shqetësimet e kostos së jetesës.

Atë e ndihmon gjithashtu fakti që kandidati tjetër, Eric Zemmour, konsiderohet edhe më i djathtë se Le Peni. Popullariteti i vetë Zemmour është rritur në javët e fundit.

Ndërsa nga e majta, Melenchon ka një distancë të konsiderueshme në vendin e tretë.

Pesë vjet më parë, Emanuel Macroni mposhti zonjën Le Pen në votimin e raundit të dytë, si një kandidat i ri, pro-Bashkimit Evropian, dhe i pavarur, i cili po premtonte transformimin e Francës.

Por presidenca e tij është shënuar nga kriza – që nga protestat e jelekverdhëve për drejtësi ekonomike, e deri te ato të Covid-19 dhe tani agresioni i Rusisë në Ukrainë.

Këtë herë, Emanuel Macroni mezi ka mundur të bëjë fushatë, duke pretenduar se është shumë i zënë me drejtimin e vendit dhe duke punuar për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë.

Ai ka mbajtur vetëm një tubim të madh elektoral – dhe nuk mori pjesë në debatin e vetëm me 11 kandidatët e tjerë presidencialë.

Propozimet e tij ekonomike – si rritja e moshës së pensionit nga 62 në 65 vjeç dhe kushtëzimi i disa përfitimeve sociale, nuk kanë gëzuar mbështetje.

“Është e vërtetë që ai nuk ka bërë asgjë për mjedisin. Ndërsa për ekonominë, është e vërtetë që papunësia ka rënë” thotë pensionisti Christian Ranvier.

Tani, Macroni më në fund po lufton – duke paralajmëruar një fitore të ekstremit të djathtë dhe duke vënë në pah lidhjet e mëparshme të disa kandidatëve me Rusinë, përfshirë Marine Le Penin.

Por edhe mbështetësit e zotit Macron janë të pasigurt nëse ai do të fitojë një tjetër balotazh kundër Le Penit.

“Jam shumë i shqetësuar. Unë isha në Nju Jork kur Trumpi fitoi zgjedhjet dhe më besoni, ende e mbaj mend tronditjen njëjavore duke u përpjekur të kuptoja atë realitet. Natyrisht, kjo mund të ndodhë edhe këtu” thotë Gilles Herrada me fushatën e zotit Macron.

Duke e bërë atë që dikur dukej një fitore e parashikueshme për Macronin jo më aq të sigurtë.