Lajm i keq për emigrantët europianë në Britani

530
Një lajm i keq vjen për emigrantët e BE në Angli. Kryeministrja britanike Theresa May po shqyrton mundësinë e dhënies fund të qarkullimit të lirë për emigrantët e Bashkimit Evropian. Ky vendim pritet të merret në mes të muajit mars, që do të përkojë me fillimin e procedurave të Brexit, njoftoi sot gazeta konservatore ”The Telegraph”.

SIpas gazetës britanike May mendon të konfirmojë që qytetarët e Bashkimit Evropian, pas hyrjes në fuqi të nenit 50, nuk do të kenë më automatikisht të drejtën për të qëndruar në mënyrë të përhershme në Mbretërinë e Bashkuar.

Pas Brexit, qytetarët e Bashkimit Evropian mund të jenë subjekt i vizave si edhe i limitimit të përfitimeve, ndërkohë që ata që ndodhen aktualisht në Britaninë e Madhe do të kenë të gjitha të drejtat deri në momentin kur edhe Bashkimi Evropian do t’ia garantojë këto të drejta qytetarëve britanikë.

Gazeta hedh hipotezën se tensionet e reja mes Londrës dhe Bashkimit Evropian mund të fillojnë sërish kur Brukseli t’i kërkojë May-t garantimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve të BE-së deri në fund të vitit 2019.

Megjithatë ministrat kanë ngritur shqetësime se duke pritur deri në fund të negociatave, numri i emigrantëve që do të vijnë përpara Brexit do të vijë në rritje.
Sigal