Kuvendi i Kosovës këtë javë dy seanca plenare

1001
Kuvendi i Republikës së Kosovës këtë javë vazhdon punimet me pikat e mbetura nga seanca e kaluar dhe mban dy seanca të reja plenare. Ky ishte vendimi i sotëm i Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari Kadri Veseli. Të enjten, në 25 qershor, bëhet votimi i pikave të mbetura nga seanca e fundit, ndërsa pas përfundimit të tyre, do të fillojë seancë e re. Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, pritet të mbahet interpelanca e ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me procesin e demarkacionit të kufirit në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi. Më pas, do të shqyrtohet rekomandimi i Komisionit të posaçëm për zgjedhjen e dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe të zgjedhet Avokati i Popullit.
Në vazhdim të seancës, Kuvendi do të shqyrtojë për herë të parë tre projektligje: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për patenta, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për markat tregtare, si dhe atë për rregullimin e shërbimeve të ujit. Më pas do të procedohet me shqyrtimin e propozim-vendimit të Ministrisë së Drejtësisë për formimin e Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës, si dhe emërimin e anëtarit në Këshillin Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës. Po në këtë seancë pritet të shqyrtohet raporti vjetor për gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2014 dhe të formohet Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës. Pikë e fundit e kësaj seance do të jetë debati parlamentar lidhur me veprimtarinë e misionit të BE-së në Republikën e Kosovës, sipas kërkesës së deputetes Albulena Haxhiu, të mbështetur nga 15 deputetë nënshkrues.
Të premten, do të mbahet seancë e re, në të cilën do të shqyrtohet rekomandimi i Komisionit për Legjislacion, lidhur me amendamentin 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të propozuar nga Qeveria. Kryesia vendosi po ashtu që për nder të 25-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, në 2 korrik 2015 të mbajë një seancë solemne. Në mbledhjen e sotme, Kryesia miratoi edhe kërkesën e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, për shtyrjen e afatit për shqyrtimin e Projektligjit për Dixhitalizimin e transmetimeve radiodifuzive tokësore.
Sigal