Kriza e çmimeve/ Inflacioni në Greqi arrin në 12% gjatë muajit qershor, norma më e lartë në 29 vitet e fundit

118
Sigal

Inflacioni në Greqi ka arritur në 12% gjatë muajit qershor nga 10.5% që ishte një muaj më parë. Ndërkohë në prill, inflacioni ishte në 9.1%.

Këto janë të dhënat e publikuara nga Eurostat. Kjo është shifra më e lartë e shënuar në 29 vitet e fundit në Greqi.

Hera e fundit që çmimet u rritën me ritme kaq të shpejta ishte në dhjetor 1993. Autoriteti statistikor grek ELSTAT pritet të shpallë indeksin kombëtar të çmimeve më 8 korrik.

Inflacioni në eurozonë ishte 8.6 për qind në qershor nga 8.1 për qind në maj, sipas të dhënave të Eurostat.

Kostot e energjisë nxisin inflacionin në vendet e Eurozonës

Norma më e lartë e inflacionit është regjistruar në vendet baltike me Estoninë me 22 për qind, Lituaninë me 20.5 për qind dhe Letoninë me 19 për qind. Malta dhe Franca janë dy vendet e Eurozonës me inflacionin më të ulët. (6.1 dhe 6.5, respektivisht).

Duke parë përbërësit kryesorë të inflacionit të Eurozonës, energjia pritet të ketë normën më të lartë vjetore në qershor (41.9 për qind krahasuar me 39.1 për qind në maj), e ndjekur nga ushqimi, alkooli dhe duhani (8.9 për qind krahasuar me 7.5 për qind në maj).

Të enjten, Banka e Greqisë në raportin e saj mbi politikën monetare rishikoi parashikimin e saj për rritjen në 3.2 për qind (1.8 për qind në skenarin e kundërt) dhe pret që inflacioni për të gjithë vitin 2022 të qëndrojë në 7.6 për qind.