Kriptovaluta që mund ta përshkallëzojë situatën në Kosovë!

146
Sigal

Një aksion i Qeverisë së Kosovës bashkë me policinë, po del të jetë i kundërligjshëm. Konfiskimi i pajisjeve që prodhojnë kriptovaluta, është bërë totalisht jashtë kompetencave. Sipas ekspertëve askush nuk guxon t’i marrë pajisjet që janë në pronë të dikujt tjetër. Për këtë punë, do të ishte i nevojshëm ligji. Nuk përjashtohen as trazirat për këtë aksion.

Policia e Kosovës ka startuar ndër aktivitete të saj edhe mbylljen e vendeve dhe konfiskimin e pajisjeve për prodhimin e kriptvalutave, madje me fokus kryesor. Këtij aksioni të policisë në disa qytetete të Kosovës, nuk i ka shpëtuar as veriu i vendit.

E gjithë kjo erdhi pas një vendimi të Qeverisë për ndaljen e këtij aktiviteti të arsyetuar në rëndimin e krizës energjetike.

Njohësi i Ekonomisë, Erton Bega nuk po e mbështet këtë vendim të Qeverisë, pasi sipas tij me këtë ndalesë është përjashtuar shoqëria jonë nga trendet globale të zhvillimit të biznesit digjital.

Bega po konsideron se ky vendim, ashtu siç ka ndodhë historikisht me ne, na lë prapa në raport me botën edhe në trende të reja inovative të zhvillimit ekonomik e social.

“Ndalesa për prodhimin e kriptovalutave ka ardhur si pasojë e krizës energjetike, e cila në kushte normale nuk do të duhej të ishte arsye për mbyllen e veprimtarive biznesore dhe investive. Qeveria është aty për të siguruar parakushte për zhvillimin e bizneseve dhe investimeve që përfshin edhe sigurimin e furnizimit të rregullt me energji elektrike e asesi të veproj përmes ndalesave duke patur parasysh që me kushtetutë Kosova është ekonomi e tregut të hapur e bazuar në konkurencë të lirë. Me këtë ndalesë, qeveria ka përjashtuar shoqërinë tonë nga trendet globale të zhvillimit të biznesit digjital përkatësisht nga krijimi i fermave minerare elektronike për procesimin e transaksioneve në blockchain. Si shoqëri, edhe sot i vuajmë pasojat e historisë tonë jo të largët që kemi mbetur mbrapa në shumë aspekte të zhvillimit ekonomiko-social, prandaj ky vendim na vënë në situatë të ngjajshme me ato që i kemi kalu më herët si popull e si shoqëri, duke na lënë mbrapa në raport me botën edhe në trende të reja inovative të zhvillimit ekonomik e social”, është shprehur ai.

Për ekonomistin më e udhës do të ishte që institucionet të punonin në hartimin e bazës së nevojshme ligjore përmes të cilës do të formalizonin këtë veprimtari.

“Në vend të ndalesave, institucionet do duhej të punonin në hartimin e bazës së nevojshme ligjore përmes të cilës do të formalizonin këtë veprimtari dhe në këtë formë do t’i mundësonin qytetarit një mundësi shtesë për të ngrit kapitalin e tij dhe shteti do të mund të përfitonte përmes tatimimit të veprimtarisë. Me këtë vendim, është dëmtuar investimi që individ apo biznese kanë bërë në prodhimin e kriptovalutave dhe në këtë mënyrë po rrezikohen edhe ata qytetarë që kursimet e tyre jetësore i kanë investuar në këtë biznes digjital që pavarësisht sfidave është dëshmuar tepër fitimprurës në 5 vitet e fundit”, ka përfunduar ai.

E gazeta italiane “Corriere della Sera” ka shkruar se njësoj si në Kazakistan probleme me trazira pritet të përjetojnë edhe Kosova e Irani, të cilat kanë pezulluar të gjitha transaksionet në Bitcoin pas problemeve me energjinë elektrike.

Por që një gjë të tillë po e mohon eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

“Një aksion i tillë policor është i kunderligjshëm për arsyje që bazohet vetëm në një vendim nga niveli politik pa u konsultuar dhe kaluar nëpër nivelin ligjvendës. Në Kosovë nuk mund të këtë trazira të cilat ndërlidhen me kriptovaluta, por veprime të hezituara ku fushëveprimi operacional zhvillohet në komunat me shumic serbe kjo mund të shfrytezohet me motive politike në këtë krizë politike në mes Kosoves dhe Serbisë” ka thënë ai.

Ndërsa kujtojmë që aksioni i fundit nga Policia e Kosovës u realizua dy ditë më parë kur një automjeti në Drenas brenda iu konfiskuan pajisje për prodhimin e kriptovalutave, 116 kartela grafike, 17 pllaka me procesor, 50 siguresa të energjisë elektrike, 21 USB dhe 2 procesorë të përdorur.