KQZ-ja vendos të rinumërojë 468 vendvotime dhe 35 kuti me vota në Kosovë

187
Sigal

Në mbledhjen e sotme KQZ-ja ka marrë vendim për miratimin e rekomandimeve nga QNR-ja, që lidhen me rinumërimin e votave të kandidatëve.

Anëtarët e KQZ-së kanë votuar pro rekomandimit që të rinumërohen 35 kuti me rinumërim të plotë për shkak të llogaritjes së votave gabimisht te formulari i përputhjes së të dhënave. Do të rinumërohen gjashtë vendvotime me probleme teknike, të cilat në gjendjen si janë nuk mund të procedohen në bazën e të dhënave për shkak se votat janë të paqarta.

Po ashtu KQZ-ja ka votuar pro rekomandimit që të rinumërohen 379 vendvotime në të cilat një kandidat ka më shumë vota sesa subjekti, gjithashtu është vendosur të rinumërohen 83 vendvotime, te të cilat nuk ka vota te subjekti dhe kandidati ose anasjelltas.

“Mund t’iu konfirmoj se në mbledhjen e sotme të KQZ-së do të paraqitet një raport nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve me disa rekomandime për rinumërim të rreth 500 vendvotimeve dhe natyrisht se anëtarët e KQZ-së do ta shqyrtojnë dhe do të marrin vendim meritor. QNR-ja ka ardhur deri te këto rekomandime pasi këto vendvotime nuk kanë mundur të kalojnë procesin e auditimit. Arsyet janë të ndryshme dhe kryesisht kanë të bëjnë me bartjen e gabuar të votave në formularin e subjekteve politike dhe formularin e kandidatëve, si dhe për shkak se në një numër të madh të vendvotimeve kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik”, ka njoftuar zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi.