Floida Kërpaçi: “Astir”-i vendi ku Erion Veliaj, bashkë me shokët e tij, do të marrin ndëshkimin më të rëndë me votë më 25 prill

172
Sigal

Ditën e sotme, ish-deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi, ka zhvilluar një takim në zonën e “Astirit” nga ku dha dhe një deklaratë për media, ku tha se, “Astiri do të jetë vendi ku Erion Veliaj, bashkë me shokët e tij, do të ndëshkimin më të rëndë me votë më 25 prill”.

Ja deklarata e plotë për mediat:

Erion Veliaj pati paturpësinë të vinte sot në ‘Astir’. ‘Astiri’ është një nga provat më të rënda të grabitjes që shteti iu bën pronave të qytetarëve dhe pronës publike.

Erion Veliaj, bashkë me qeverinë e tij, bënë vjedhjen më të madhe, ku kilometri i rrugës vajti nga 2 milion euro në 22 milion euro.

Në ‘Astir’ ku dhuna ndaj qytetarëve ka mbetur e fiksuar në memorien e të gjithë shqiptarëve, ku grabitja e pronës pa shpërblim u krye ‘ditën për diell’ e ku nuk mungoi dhuna e gazi lotsjellës nga banditët policorë.

Jemi në ‘Astir’, ku qytetarëve iu mungon çerdhja, kopshti, shkolla për fëmijët e tyre e në këtë situatë ku ndodhemi të pandemisë, mungon edhe një poliklinikë.

Çdo premtim që Rilindja ka dhënë është sot një mashtrim i madh. Ashtu sikurse premtoi Edi Rama në 2013-n që banorëve të ‘Astirit’ nuk do t’iu prisheshin shtëpitë e tyre, ashtu sikurse kanë premtuar për 300 mijë vende të reja të punës dhe sot 300 mijë shqiptarë kanë ikur. Ashtu sikurse premtuan për shëndetësinë falas dhe sot kemi shëndetësinë më të shtrenjtë.

Sot në fakt jemi në realitetin që kemi taksat më të larta, kemi mungesë të ujit të pijshëm dhe kemi një kosto të lartë të jetesës.

Prandaj, në ‘Astir’ është vendi ku Erion Veliaj, bashkë me shokët e tij, do të marrin ndëshkimin më të rëndë me votë më 25 prill, ku do të fitojnë qytetarët dhe e drejta përballë modelit të Rilindjes që mashtron dhe ka varfëruar shqiptarët, ka rritur taksat dhe ka vrarë shpresën për të ardhmen.