Kosovë/ Kapen emigrantët e paligjshëm në ‘Audin A5’, njëri prej tyre gjendet i kërrusur në bagazh

158
Sigal

Policia kosovare ka bërë të mundur ndalimin e gjashtë emigrantëve të paligjshëm, mes tyre dy fëmijë, të cilët ishin marrë nga një 34-vjeçar me “Audi A5”. I arrestuari është shtetasi me iniciale L.N.(1987).

“Me  datë 26.09.2021, rreth orës 07:45, zyrtarë të Policisë së Kosovës nga Stacion Policor Kufitar-Vërmicë deri sa ishin në lëvizje me automjet në drejtimin Prizren-Vërmicë, në afërsi të nënkalimit të autostradës “Ibrahim Rugova” kishin vërejtur një veture e tipit Audi A5, ngjyrë e zezë, me targa vendore.

Në atë lokacion, disa persona u vërejtën duke zbritur nga mali dhe duke kaluar rrethojën e autostradës, të cilët menjëherë filluan me shpejtësi të hynin në veturë. Vetura u nis menjëherë në drejtim të Prishtinës”, njofton policia kosovare.

Mësohet se policia mundi që të lokalizonte makinën me emigrantë rreth 2 Km nga Pika kufitare e Vërmicës dhe u vu re se katër nga shtetasit e huaj kishin dokumente identifikimi, pasaporta me viza valide.

Njëri prej emigrantëve u gjet i fshehur në bagazhin e makinës.

Në lidhje me këtë rast është informuar Prokurori i shtetit në Prizren, i cili ka autorizuar inicimin e rastit, dhe katër pasagjerëve shtetas të huaj iu refuzohet hyrja dhe deportohen në Shqipëri, përderisa dy pasagjerë tjerë të dërgohen në Qendrën për azil. Ndaj personit të dyshuarit iniciohet rasti për procedurë të rregullt dhe hetime të mëtejme.