Kosovë, Hoxhaj: Thaçi do të bëhet president, i kemi votat

400
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, në Zona B ka thënë se nuk ka dyshime nëse Hashim Thaçi do të bëhet president i Kosovës, njofton Klan Kosova.
“Kam besim të madh se Hashim Thaçi do të jetë president i vendit dhe nuk ka asnjë dyshim për këtë gjë”.
Sipas Hoxhajt kandidimi i Thaçit për këtë pozitë do të bëhet pas konventës të Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa ka theksuar se ka një qartësi të madhe për zgjedhjen e Thaçit në atë post.
“Nga takimet që i kemi mbajtur në parti kemi dalë qartë se Thaçi do të jetë kandidat për president, por do ta mbajmë një konventë të partisë, ku nga aty do të dalë kandidatura për president”.
“Gjithmonë kemi pas një paqartësi për president në Kosovë, te rasti i Behxhet Pacollit ka qenë më i qartë dhe kësaj radhe kemi një qartësi të plotë se kandidati do të jetë nga PDK-ja dhe ai do të jetë zoti Thaçi”.
Ai më tutje ka thënë se i mbetet Lidhjes Demokratike të Kosovës që të respektojë marrëveshjen, por se është i bindur që votat për zgjedhjen e Thaçit president tanimë janë siguruar.
“Unë mendoj që i takon zotit Mustafa që të bisedojë me deputetët e tij, ndërsa zoti Thaçi do të bisedojë me deputetët e PDK-së dhe minoriteteve dhe të tjerëve”.
“Kam një siguri se i kemi votat. Deputetët do të kenë një nder personal që ta votojnë një president që do ta fuqizojë vendin, pasi zoti Thaçi është një politikan i profilit të lartë, si brenda edhe jashtë vendit. Ne kemi një marrëveshje me LDK-në”.
Sigal