Kosovë, Berisha: Marrveshja për Asociacionin nuk do të rinegociohet

470
“Nuk do të ketë ndryshime, as rinegocim të marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Gjykata Kushtetuese për asnjë pikë të vetme të marrëveshjes nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës”, është shprehur Besnik Berisha, këshilltar për çështje juridike i kryeministrit Isa Mustafa. “Gjykata Kushtetuese ka konstatuar mos plotësim të standardeve dhe ka dhënë disa vërejtje të cilat duhet të merren parasysh nga hartuesit e statutit dhe ata që duhet të merren me nënshkrimin, respektivisht përpilimin e aktit juridik me të cilin i hapët rrugë themelimit të Asociacionit. Sigurisht do të respektohen në përpikëri arsyetimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese dhe të mbrohet legjislacioni i Republikës së Kosovës dhe do të mbrohet kushtetutshmëria e këtij vendi”, tha Berisha për “KosovaPress”.
Ai u shpreh se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nëse lexohet në tërësi të saj është i kuptueshëm, mirëpo nëse shikohet pjesë-pjesë sigurisht që ka një paqartësi në vete, pasi gjykata, sipas tij, nuk ka sqaruar mos përmbushjen e standardit dhe nuk ka treguar se çfarë do të duhej të përmbante një dispozitë e caktuar e parimeve dhe elementeve kryesore për themelimin e Asociacionit. Këshilltari për çështje juridike i kryeministrit Mustafa, Besnik Berisha po ashtu tha se në aktgjykim të gjykatës thuhet në që akti i themelimit të Asociacionit nuk janë parimet e datës 25, por Asociacioni themelohet me marrëveshjen e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me 84 vota ku shumica e deputetëve të kësaj opozite ishin dakorduar për atë marrëveshje dhe për themelimin e Asociacionit, e që sot natyrshëm për interesa politike po e kontestojnë. Berisha po ashtu tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në asnjë mënyrë nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.
Sigal