Kosovë/ 50 euro gjobë për këmbësorët që kalojnë rrugën me telefon në dorë apo kufje

18
Sigal

Policia e Kosovës ka bërë me dije se cilat janë gjobat për shoferët të cilën përdorin telefonat në momentin që ata janë duke lëvizur me automjetet e tyre në trafikun rrugor dhe për këmbësorët të cilët përdorin telefonin dhe mbajnë kufje në veshë kur janë duke kaluar rrugën apo shiritin për biçikleta.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook policia e Kosovës ka shkruar se shoferit të mjetit me veprim motorik gjatë kohës së drejtimit i ndalohet mbajtja e telefonit të dorës dhe pajisjeve të tjera të cilat do ta zvogëlonin mundësinë e reagimit dhe drejtimit të sigurt të mjetit. Sipas tyre, mosrespektimi i kësaj rregulle ndëshkohet me masë dhe gjobë.

“Një pikë negative dhe gjobë prej 100 eurosh, kur vepron për herë të parë në shkelje të rregullit, dy pikë negative, muaj ndalesë në drejtim të mjetit motorik dhe 200 euro gjobë kur vepron për herë të dytë tre pikë negative, gjashtë muaj ndalesë në drejtim të mjetit motorik dhe 500 euro gjobë kur vepron për herë të tretë”, thuhet në postim.

Gjithashtu përmes postimit policia ka bërë të ditur se edhe se edhe këmbësorëve iu ndalohet përdorimi i telefonit dhe kufjeve në veshë gjatë kalimit të rrugës, të shiritit, të shtegut të biçikletave ose të binarëve.

“Këmbësorë: Gjatë kalimit të rrugës, të shiritit apo të shtegut të biçikletave ose të binarëve, këmbësorit nuk i lejohet përdorimi i telefonit mobil, shfrytëzimi i dëgjueseve në veshë apo i pajisjeve të tjera të ngjashme që mund ta hutojnë. Mosrespektimi i kësaj rregulle ndëshkohet me gjobë (50) euro, këmbësori i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij rregulli. Mos përdor telefonin dhe mjete të tjera hutuese përderisa jeni pjesë e trafikut! Mos rrezikoni jetën tuaj dhe të të tjerëve”, shkruhet në postim.