Kosova, pa viza në “Schengen”

546
Komisioni Europian i propozoi sot Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Europian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës që duan të udhëtojnë në zonën “Schengen”. Propozimi është bërë së bashku me vlerësimin pozitiv të Komisionit, që konfirmon se Kosova ka përmbushur kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
Lajmin e dha i pari ministri i Integrimit Europian në Kosovë, Bekim Çollaku, i cili konfirmoi përmes një deklarate në Facebook rekomandimin e Komisionit Europian për heqjen e vizave për kosovarët. “Ju uroj nga zemra të gjithëve për propozimin e sotëm të Komisionit Europian, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Çollaku, i cili ka konfirmuar se brenda këtij viti, qytetarët e Kosovës do të nisin udhëtimin pa viza në zonën “Schengen”. Ministri kosovar i Integrimit Europian tha se, izolimi i Kosovës tanimë mbetet vetëm një kujtim i hidhur i së kaluarës.
Ndërsa Komisioneri për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, gjatë një konference për shtyp në Bruksel tha se, Komisioni propozon udhëtimin pa viza në BE për qytetarët e Kosovës me pasaporta biometrike. Avramopoulos lajmëroi se do të vizitojë Prishtinën të enjten. Pasditen e nesërme pritet të ketë edhe një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës.
Sigal