Kompanitë kineze diskutojnë investime të reja në Serbi

15
Sigal

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Ekonomisë e Serbisë, Adrijana Mesaroviq, u takua me përfaqësues të kompanive kineze GEB – Shandong Golden Empire Precision Machinery Technology dhe MINTH, për të diskutuar mbi investime të reja në Serbi.

Pas takimit me përfaqësuesit e MINTH, Mesaroviq tha se kompania punëson rreth 3,000 persona në Serbi dhe se, pas ndërtimit të fabrikave në qytetet Sabac dhe Loznicë, po synon të ndërtojë kapacitete të reja edhe në pjesë të tjera të vendit.

Ajo shtoi gjithashtu se kompania GEB planifikon ndërtimin e një fabrike për të përmbushur nevojat e prodhuesit të njohur të makinave BMW, dhe se Serbia është një prej vendeve të mundshme për këtë investim.

Mesaroviq shpreson se Serbia do të marrë së shpejti një lajm të mirë lidhur me këtë investim në shkallë të gjerë, gjë që, sipas saj, do të konfirmojë edhe një herë se kompanitë e mëdha ndërkombëtare zgjedhin Serbinë si vend investimi.

Kjo, shtoi ajo, është dëshmi e stabilitetit dhe e politikës së suksesshme ekonomike të ndjekur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe qeveria e Serbisë. Ministria e Ekonomisë, tha më tej Mesaroviq, vazhdon të mbështesë investitorët dhe të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë së Serbisë.