Ka nisur zbutja e masave anti-Covid në Europë

56

Anglia, Uellsi, Skocia dhe Irlanda e Veriut kanë rënë dakord mbi një plan të përbashkët për lehtësimin e rregullave nga data 23 deri më 27 Dhjetor në atë që quhet flluska e krishtlindjes.

Gjatë këtyre ditëve, deri në tre familje do të lejohen të takohen në ambiente të mbyllura. Kryeministri Boris Johnson ka deklaruar se pavarësisht zbutjes se rregullave për pak kohë, qytetarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm për rrezikun që iu kanoset nëse nuk tregohen të kujdesshëm.

BORIS JOHNSON

KRYEMINISTER I BRITANISE SE MADHE

“Iu bëj thirrje të gjithëve që të tregohen vigjilentë në luftën ndaj koronavirusit, është shumë e rëndësishme që të mos i hedhim poshtë përpjekjet e bëra deri më tani. Kjo do të thotë se krishtlindja do të jetë ndryshe nga vitet e tjera por virusi nuk e di që kemi festë. Na takon neve të tregohemi të kujdesshëm në mënyrën se si do ta përdorim këtë lehtësim të kufizimeve. ”

Këshilltari qeveritar, Prof Andrew Hayward e konsideron vendimin e katër vendeve si të rrezikshëm, pasi mund të çojë në një numër të shtuar infeksionesh pas festave.

Ndërkohë edhe ministri Italian i shëndetësisë, Roberto Speranca ka bërë thirrje për kujdes ndërsa vendi fqinj ende nuk ka deklaruar zyrtarisht masat që do të jenë në fuqi gjatë muajit dhjetor. Në Gjermani do të vijojë bllokimi i pjesshëm deri më 20 dhjetor dhe pas kësaj date do të ketë një relaksim të masave.