Spanjë/ Shkatërrohet rrjeti i trafikut të drogës që drejtohej nga dy shqiptarë

145
Sigal

SPANJË– Policia Kombëtare e Paternës ka arrestuar nëntë anëtarë të një grupi kriminal që kultivonte kanabis nëpër shtëpitë që merrnin me qira në provincën e Valencias.

Si rezultat i operacionit janë sekuestruar rreth 4000 bimë kanabisi dhe një numër i madh pajisjesh që trafikantët i përdornin për të përshpejtuar kultivimin e drogës.

Raportohet se në krye bandës që kultivonte kanabis ishin dy shqiptarë, pjesë e saj ishin gjithashtu dhe disa serbë.

Bëhet e ditur se anëtarët e grupit kriminal merrnin shtëpi të ndryshme me qira, nëpër të cilat instalonin pajisjet dhe vendosnin bimët e kanabisit.

Gjithashtu ata punësonin njerëz të ndryshëm të cilët flinin në këto shtëpi për të monitoruar plantacionet me kanabis.

Të arrestuarit akuzohen në shtetin Spanjoll për krime kundër shëndetit publik, anëtarësim në grup kriminal dhe abuzim me energjinë elektrike.