Jahjaga në Ferizaj, takon krerët komunalë

523
Sigal

Kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa me bashkëpunëtorët e tij, te enjten ka pritur Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ishte e shoqëruar nga drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, të Odës Ekonomike Amerikane dhe të Odës Ekonomike Gjermane.

Në takime u diskutuan sfidat e zhvillimit ekonomik, përkrahja për bizneset dhe krijimi i lehtësirave për to, me theks të veçantë tërheqja e investimeve të huaja.

Me këtë rast kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, para presidentes dhe drejtuesve të odave ekonomike, paraqiti përpjekjet që bën pushteti lokal për të bashkëpunuar dhe për të krijuar kushte për bizneset vendore dhe të huaja dhe problemet e sfidat që duhet tejkaluar në këtë fushë, për të krijuar kushte edhe më të favorshme për bizneset, sidomos krijimin e kushteve për investitorët e huaj.

“Biseduam për problemet, vështirësitë dhe sfidat si dhe e njoftova presidenten edhe rreth rezultateve të zhvillimit ekonomik të komunës së Ferizajt, me qëllimin e mirë dhe racional që të gjejmë mënyra të tjera të bashkëpunimi, dhe zhvillimit të këtyre aktiviteteve në dobi të klimës së favorshme për bi zneset dhe të thithjes së investimet nga jashtë si parakusht i problemeve që lidhën me papunësinë, dhe me proceset tjera integruese dhe me ndaljen e migrimit dhe të tjerave si parakusht edhe për liberalizimin e vizave diçka që i duhet dhe i nevojitet Kosovës”, ka thënë kryetari Svarqa, duke shtuar se presidenten e vendit e ka njoftuar edhe me rezultat konkrete që ka pasur komuna e Ferizajt në punësimin e të rinjve dhe me zhvillimin e bizneseve në përgjithësi në Ferizaj.

Nga ana tjetër, presidentja Jahjaga ka thënë se nga të gjitha vizitat që ka pasur nëpër komuna të ndryshme të Kosovës së bashku së me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, të Odës Ekonomike Amerikane dhe të Odës Ekonomike Gjermane, ka pasur takime shumë intensive me secilin kryetar dhe është biseduar shumë hollësisht lidhje me gjendjen e përgjithshme në kuadër të komunave, veçanërisht për agjendën ekonomike dhe të arriturat ekonomike.

“At o sfida dhe probleme që dëgjova në këto komuna të cilat i vizitova gjatë ditës së sotme, ishin po ato sfida dhe ato probleme që i kemi dëgjuar këto dy vitet e fundit . Dhe qëllimi i gjithë kësaj iniciative, është që drejtpërdrejt t’i adresojmë këto vështirësi në mënyrë që bizneset dhe investitorët të ndryshëm të Kosovës t’ju mundësojmë që kapitalin tyre ta investojnë në Kosovë me qëllim e vetëm që të rigjenerojnë vende të reja të punës, për qytetarët e Kosovës, veçanërisht për rininë e Kosovës, dhe po ashtu që të përmirësojmë kualitetin e jetës për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Jahjaga.

Ndërkaq në emër të odave ekonomike ka folur edhe Albert Matoshi, i cili këto vizita i ka vlerësuar tejet lartë, sepse sipas tij nga afër po njihen më të gjitha problemet dhe vështirësitë me të cilat po përballen komunat e Kosovës.