Hyn në fuqi ligji që ndalon abortin, Polonia përfshihet në protesta

169
Sigal

Polonia është përfshirë sërish nga protestat menjëherë pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të ligjit që ndalon abortin dhe në rastet kur fetusi mund të ketë keqformime.

Gratë polake janë rikthyer në shesh kundër ligjit që kufizon të drejtën për abort. Manifestime të mëdha u mbajtën në të paktën 20 qytete pasi qeveria deklaroi hyrjen në fuqi të ligjit i cili ndalon abortin duke përjashtuar vetëm rastet e një incesti, përdhunimi apo nëse jeta e nënës është në rrezik.

Vala e protestave u organizua pas apeleve në rrjetin social Facebook. Sipas këtij ligji, një grua nuk ka të drejtën e abortit dhe nëse ka keqformime të rënda të fetusit, apo dhe sëmundje të tilla që sjellin vdekjen e pashmangshme të të sapolindurit.

Në Poloni para miratimit të ligjit, sipas të dhënave zyrtare janë kryer mesatarisht 20 mijë aborte çdo vit. Por media të pavarura në vend raportojnë më shumë se 200 mijë aborte të kryera në mënyrë klandestine apo në vendet fqinje ku ndërprerja e shtatzënisë është e lejueshme. Por tashmë kufizimet për shkak të pandemisë e bëjnë të pamundur këtë variant.