Guvernatori i Venetos kundër mbylljes së diskotekave: Unë duke punuar në disko pagova shkollën!

250
Sigal

“E vështirë të mos pranosh mbylljen, sepse disa skena që kemi parë kanë qenë vërtet të papranueshme. Por të bëjmë kujdes, e të mos i demonizojmë diskotekat”; Guvernatori i rajonit të Venetos në Itali, Luca Zaia e pranoi me gjysmë zëri vendimin e qeverisë italianë, që zgjodhi të ashpërsojë masat kundër koronavirusit, duke përfshirë këtu dhe mbylljen e diskotekave.

Zaia nuk është entuziast I këtij vendimi për dy arsye: e para, lidhet me dëmet që do të pësojë sektori dhe e dyta është personale: duke punuar nëpër diskoteka kur ishte i ri, ai arriti të paguante studimet e larta. Sipas guvernatorit, është për të ardhur keq që mbërrihet në këtë pikë për shkak të papërgjegjshmërisë së disa personave të cilët nuk mbajnë maskë e nuk respektojnë distancimit social, si edhe të vetë pronarëve që duan vetëm të mbushin lokalet e tyre.

Ministri Italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza e nënshkroi një ditë më parë dekretin përkatës. Urdhri do të jetë në fuqi të paktën deri në 7 shtator. Ai përfshin të gjitha diskotekat e Italisë, klubet e natës dhe diskotekat e plazhit në natyrë të hapur si dhe të gjitha eventet e tjera të kërcimit jashtë. Qeveria urdhëroi gjithashtu mbajtjen e maskave nga ora 18:00 deri në 6 të mëngjesit në sheshet ku mblidhen shumë njerëz apo para lokaleve.

Shtrëngimi i masave lidhet me faktin se edhe në Itali janë infektuar kohët e fundit me virusin SARS-CoV-2 gjithnjë e më shumë të rinj, ndërsa ditët e kaluara ka pasur shumë njoftime për festime pa respektuar masat e sigurisë.