Greqia pajtohet që Kosova të hapë zyrë në Athinë

413
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ishte nikoqir i homologut të tij grek, Nikolaos Kotzias.
Me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Thaçi ka biseduar për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, për perspektivën europiane dhe përkrahjen e Greqisë dhënë anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe për përshpejtimin e hapjes së zyrës së Kosovës në Athinë. Gjithashtu, pjesë e bisedës së tyre ishin edhe marrëdhëniet e mira me fqinjët në rajon, dialogu me Serbinë dhe marrëdhëniet me BE-në. “Kosova tashmë është konsoliduar mjaft mirë si shtet dhe ka ndërtuar raporte shumë të mira me shtetet fqinje në rajon. Së shpejti presim të përfshihemi në marrëdhënie kontraktuale edhe me Bashkimin Europian, duke nënshkruar MSA-në dhe duke marrë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave. Kurse, në nivel global, Kosova vazhdon të jetë anëtare aktive e koalicionit global kundër terrorizmit dhe ekstremizmit”, ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi. Thaçi dhe homologu i tij grek, Kotzias, kanë biseduar edhe për marrëdhëniet bilaterale, ku Greqia është përfaqësuar nga ambasadorë që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për Kosovën. “Greqia ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështes anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale e ndërkombëtare”, ka thënë Kotzias. Sipas ministrit të Jashtëm të Greqisë, hapja e zyrës së Kosovës në Athinë mund të finalizohet shumë shpejt në mënyrë që Kosova dhe Greqia ta rrisin edhe bashkëpunimin ekonomik. Ndryshe, kjo është vizita e parë zyrtare nga një ministër i Jashtëm i Greqisë bërë Kosovës.
Sigal