Gjermanët shpërthejnë: “Italianët duan vetëm paratë tona”!…

628
Sigal

Ka shpërthyer “stuhia” gjermane pas “bubullimave” të kryeministrit italian Mario Monti ditë më parë rreth fantazmës “Krizë” , që jo vetëm po “ha” shtete jugorë të eurozonës, por po rend fuqishëm kudo duke kërcënuar banka, vende pune dhe njerëz. Lot dhe gjak, ka me shumicë tanimë jo vetëm në Greqi dhe Spanjë, por dhe në Itali dhe fantazma, siç është deklaruar, ka frenuar prej dy muajsh edhe vet Gjermaninë, lokomotivën industriale dhe pararendëse të gjithë Europës. Në një intervistë dhënë të së përjavshmes Der Spiegel, Monti ka kërkuar një rishikim të koncepteve mbi rolin e qeverive, të cilat jo përherë duhet të jenë, sipas tij, nën tutelën e parlamenteve, sepse nuk mund të ndërmarrin veprime pa aprovimin definitiv në parlament. Kjo ka mjaftuar që bubullimave të tij t’i bashkëlidhet një furtunë e vërtetë djathtas dhe majtas në Gjermani.  Gazeta e Hamburgut, ku Monti ka lançuar idetë e tij me një intervistë, në krah, shpërthen menjëherë me breshërima goditjesh duke shkruar se “për të hequr nga koka e gjermanëve se italianët duan paratë e tyre” të dalin nga situata e rrezikshme dhe gjithmonë më e paqartë. Goditjet janë vërtetë të ashpra sepse ideja  Montiane se Parlamenti “do bënte mirë të mos shqetësonte tepër manovratorët (Monti kryeministër teknik) duke lënë qeveritë në detyrën të marrin vet masa antikrizë), por që më pas, pikërisht të hënën, 6 gusht, bën një hap mbrapa duke korrigjuar me një deklaratë sqaruese duke u përpjekur të qartësojë situatën. Por çfarë tha Monti, në të vërtetë dhe pse një frazë e tij e vetme katalizoi të gjithë gjermanët dhe detyroi edhe Komisionin e BE të shprehet: “Fjalë të papritura”. Kritikat Montit nuk i kanë munguar as në vendin e vet, Itali, ku Monti është për të gjithë idhull dhe shpresë. Parlamentari i djathtë i PDL, Grossetto thotë: “…duhet të kishin shkaktuar reaksion më parë në Itali, se sa në Gjermani!” Ja frazat e përgjithshme të Montit për të mbërritur tek fjala “zjarrvënëse”, ose antidemokratike, siç e ka përcaktuar politika dhe shtypi: “Nëse qeveritë do të kushtëzohen nga vendimet e parlamenteve të tyre, pa pasur një mundësi hapësire për manovër-fraza fatale-atëherë një shpërbërje e Europës është më e mundur se sa një bashkim”. Fatale duke ditur se më 12 shtator Gjykata kushtetuese  e Karlsruhe duhet të jap një vendim mbi përputhjen të fondit Shpëtim shtetesh ESM me kushtetutshmërinë gjermane. Dhe kjo për gjermanët që e shohin gjendjen si një shtëllungë tymi në sytë e tyre, ndihmën me vlerë monetare që duhet të japin për vendet me “parazitë qeveritarë” të jugut, si Greqia, Spanja, Italia etj, për të mos folur për vendet e varfra jashtë BE, që për karrierë politike të ish- stalinistëve regresivë, shkatërruan çdo vlerë industriale dhe kulturore… Shpresa e fundit mbetet në një frazë juridike të juristëve gjermanë, një i thatë “nein” gjerman, i cili tani bën të heshtur politikanët,për të mos u akuzuar se bëjnë presion. Fraza e Montit ka shkaktuar breshërimën jo vetëm tek të djathtët, më të prirë për “jo” por dhe tek liberalët bavarezë të CSU, aleatë në qeverinë Merkel, dhe më tej edhe tek socialdemokratët, të cilët nuk mund të bëjnë të paditurin. Aleksandër Dobrint, sekretar i CSU është i pari që ka folur ashpër, për një”atentat kundër demokracisë” duke shtuar se “malli për paratë e kontribuentëve gjermanë e shtyn Montin drejt një jashtëligji demokratik”. Dhe më tej grushtin e akuzave: “Zoti Monti ka nevojë si shihet për një përgjigje të qartë: ne nuk jemi të predispozuar të abrogojmë demokracinë tonë për të financuar italianët! “Në mbështetje edhe liberali Franc Scheffler: “Monti do të zgjidhë problemet e tij me shpenzimet e kontribuentëve gjermanë, duke i paketuar në një lirikë europiane!” Ndërsa ministri i Jashtëm i liberalëve, Guido Ëesterëelle, “Kontrolli parlamentar i politikës europiane është jashtë çdo diskutimi”, duke konkluduar se ka nevojë për një forcim dhe jo dobësim të legjitimitetit demokratik të Europës”. Zëvendëskryetari i grupit parlamentar Joach Poss, ka bërë të ditur se: “sulmi i Montit është prova që në Itali vitet e”paarritshme” të Berluskonit, kanë bërë të vuaj sensi i parlamentarizmit”. Në barkën gjermane të politikanëve janë ngjitur edhe gazetat ku për Francfurter Allemaine Zeitung, (Faz)ka shpërthyer sarkazma “Është vërtetë për t’u mrekulluar  nga recetat e Montit që të superohet kriza!” E përditshmja progresiste”Tagesspiegel” ka shtuar se: “Shumë ide mund të mendohen, por jo të shfaqen”, jo paqëllim e ngritur fjalia në rolin e mësuesit për pro f.Monti, i cili dhe pse dallon shumë nga kryeministrat euforikë e të papërgjegjshëm, për popujt e tyre, në Europën- Jugore, nuk i shpëton dot mentalitetit jugor për përfitime të padrejta në shpinë të atyre që punojnë e zhvillojnë vendin, industrinë, mirëqenien e përgjithshme, përmes punës dhe resurseve disponuese, pa marrë a lypur borxhe që rëndojnë mbi ardhmërinë dhe frenojnë zhvillimin e baltosin me lot dhe gjak demokracinë. Kjo është arsyeja që presidenti i Bundestag Lamert ka konkluduar me shprehjen; “Me mirë të mërziten tregjet se sa të mërzitet demokracia”. Nuk ka munguar as Merkel të lëshojë deklaratën e saj nëpërmjet zëdhënëses se shtypit se “…për Gjermaninë demokracia parlamentare është vlerë kushtetuese e paatakueshme!” Në të vërtetë konfrontimi do të peshojë shumë edhe në takimin direkt Merkel-Monti, vë re e përditshmja italiane, “La Repubblica” që do të realizohet në Berlin, në gjysmën e dytë të këtij muaji. Edhe komunistët italianë kanë reaguar nëpërmjet liderit të tyre të “Rithemelimit komunist” Ferrero, i cili është shprehur krejt ndryshe shkruan “La Repubblica” (7 gusht 2012, fq.6) “Fjalët e Montit janë fjalë të së djathtës dhe antidemokratike aq sa frikësuan edhe të djathtën gjermane, e cila nuk e ka harruar nazizmin!” Ndërsa kolegu i tij, Biancone, po sipas gazetës në fjalë ka thënë se: “Monti është një qen roje i financave botërore! “Maurizio Lupi, zëvendespresident i PDL (partia e Berluskonit) në Dhomën e deputetëve, në një intervistë të dhënë për këtë “sherr”, thotë se: “qeveria Monti është një qeveri që nuk është zgjedhur nga Sovrani, por që lindi nga dallgët e emergjencës dramatike. Tema sot është:bashkëpunim dhe përgjegjësi. De Gasperin kujtoj kur ka folur për “Spiegel”: “Sfida e vendit tonë është për t’u vendosur nëse politika shikon zgjedhjet e ardhme,për t’i fituar me çdo kusht;apo për të ardhmen e gjeneratave!” Në të vërtetë në Itali ka një ndjenjë në rritje anti-gjermane dhe konflikti i ri i shpërthyer mes qeverive, nuk ndihmon qetësimin e dallgëve të ngritura kur, sipas edhe vet italianëve kjo ndjenjë që ka edhe rrënjë të lashta duhet shuar. Kjo është edhe arsyeja përse Monti bëri më pas deklaratën e duhur, gjë që nuk mund të mendohet ta bëjnë, kur gabojnë, kryeministrat jugorë të Europës, borxhet e të cilëve kanë falimentuar shtetet si në Greqi, apo të tjerë jashtë BE, ku nga zero e kanë çuar në stratosferë borxhin, duke varrosur me parë industrializimin e vendit, përzënë në emigrim krahun dhe mendjet e punës, për uzurpuar shtetin dhe mbretëruar edhe me vrasje, vjedhje dhe tirani të vjetër me metoda të reja antidemokratike. Këtu, unë, e kam fjalën për qeverinë aktuale të vendit tim, jashtë dhe larg Europës; Shqipërinë tonë të uzurpuar nga antidemokracia! Dhe, Megjithë gabimin Monti nuk është kurrë i përngjashëm me të ashtuquajturin kryeministër despot të Tiranës!

  Për “Telegraf”, nga Italia