Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan do të vizitojë Gjermaninë javën e ardhshme, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së xhamisë më të madhe në vend, që është ndërtuar në Këln.

Ai thotë se shpreson që vizita e tij në Gjermani do të ndihmojë në dhënien fund të tensioneve në mes të dyja shteteve.

Përmirësimi i marrëdhënieve mes qeverive të dy shteteve, bashkëpunimi ekonomik, aplikimi i Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe lufta kundër terrorizmit do të jenë prioritetet që do të diskutohen gjatë vizitës në Gjermani, u tha sot gazetarëve presidenti turk, raporton Dpa.

Erdogan do të arrijë në Berlin të enjten me ftesë të homologut të tij gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Ai pritet të takohet dy herë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, përpara se të marrë pjesë në hapjen e një xhamie në Këln.