‘Rusia mund të pushtojë Ukrainën në çdo moment’/ SHBA ngre alarmin në prag të vizitës së Blinken

89
Sigal

Shtëpia e Bardhë beson se Rusia mund të nisë një pushtim të Ukrainës në çdo moment, tha të martën sekretarja e shtypit Jen Psaki, duke paralajmëruar se një “situatë jashtëzakonisht e rrezikshme” pritet të ndodhë përgjatë kufirit ukrainas.

“Ne besojmë se jemi tani në një fazë ku Rusia në çdo moment mund të nisë një sulm ndaj Ukrainës. Unë do të thosha se është më e ashpër se sa kemi qenë ne,” tha Psaki gjatë konferencës së saj të përditshme për shtyp.

Deklarata e zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë vjen ndërkohë që Sekretari i Shtetit Antony Blinken ka planifikuar të udhëtojë në Ukrainë këtë javë për t’u takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Blinken foli me ministrin e jashtëm të Rusisë të martën në mëngjes dhe të dy planifikojnë të takohen në Gjenevë, ku ai do t’i kërkojë Rusisë të “ndërmarr hapa të menjëhershëm për të de-përshkallëzuar”, tha Psaki.