Paralajmëron Irani: Do të copëtojmë marrëveshjen nëse SHBA tërhiqet

518
Teherani do ta coptojë marrëveshjen bërthamore të 2015-ës, nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të tërhiqen. Kështu ka paralajmëruar këtë të mërkurë, lideri suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei. Autoriteti më i lartë iranian, gjatë një deklarate për televizionin shtetëror nënvizoi se Teherani nuk do ta ndalë programin bërthamor pavarsisht presioneve nga ndërkombëtarët dhe se qëllimi i vetëm i këtij programi është për tu mbrojtur.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi këtë të mërkurë se Teherani do ta shfuqizojë marrëveshjen bërthamore të 2015 nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të tërhiqen.

Gjatë fjalimit të tij për televizionin shtetëror iranian, Khamenei nënvizoi gjithashtu se Teherani do ta vazhdojë programin bërthamor, pavarësisht presioneve nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara për ta pezulluar atë, pasi sipas tij raketat po zhvillohen vetëm për qëllime mbrojtëse dhe jo sulmuese.

Lideri suprem iranian, autoriteti më i lartë i këtij vendi, tha se do t’i përmbahet marrëveshjes bërthamore të 2015 me fuqitë botërore, për sa kohë të respektohet nga nënshkruesit e tjerë.

Deklaratat e Ali Khamenei, vijnë 5 ditë pasi Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, refuzoi të çertifikonte marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe gjithashtu kërcënoi se mund ta përfundonte atë.

Kjo deklaratë e Trump hasi në kundërshtime me palët e tjera ndërkombëtare të marrëveshjes, si Britania, Franca, Gjermania, Rusia, Kina dhe Bashkimi Europian, të cilët thanë se Uashingtoni nuk mund të anulojë në mënyrë të njëanshme një marrëveshje ndërkombëtare.
Sigal