Erdogan mund të përballet me një kryengritje brenda partisë së tij

505
Sigal

Persona me influencë, dikur pjesë e partisë qeverisëse, thuhet se po planifikojnë krijimin e një partie të re

Një prej situatave më të lodhshme të politikës turke të kohëve të fundit, kanë qenë debatet e shumta nëse pakënaqësitë ndaj partisë qeverisëse “Drejtësi dhe Zhvillim” (AK), do të shoqërohen edhe me një rebelim të hapur kundër Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, shkruan The Economist.

Por sa herë që dikush (sidomos në rastin e personave me ndikim, dikur pjesë e kësaj partie) shpreh mendimin, duke thënë qoftë edhe një kritikë shumë të vogël ndaj “burrit të shtetit”, ajo kritikë shuhet me të njëjtën shpejtësi me të cilën u tha. Por ky vit duket se është ndryshe. Ekonomia nuk është në gjendjen e saj më të mirë dhe partia qeverisëse është dobësuar shumë nga humbja në zgjedhjet lokale.

Provat po shtohen dita-ditës se disa nga ish-aleatët e z. Erdogan, duke përfshirë paraardhësin e tij në postin e Presidentit dhe një ish-kryeministër, janë në prag të krijimit të një partie politike rivale. Muajin e kaluar, pasi opozita fitoi (edhe pse me një rezultat të ngushtë) zgjedhjet për Kryebashkiakun e Stambollit, bordi zgjedhor i Turqisë urdhëroi që ato të zhvilloheshin përsëri sepse u cilësuan si të parregullta. Të shumtë ishin ata që besuan gjerësisht se kjo lëvizje u orkestrua pa më të voglin dyshim nga z. Erdogan dhe rrethi i tij i brendshëm. Menjëherë pas këtij vendimi, shpërthyen protesta jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. Çuditërisht, edhe disa prej anëtarëve të vjetër të gardës së Partisë AK, iu bashkuan protestave. Abdullah Gul, ish-president, e quajti vendimin si një padrejtësi ndaj popullit turk. Ish-kryeministri Ahmet Davutoglu tha se vendimi kundërshtonte sundimin e shtetit ligjor.

Javë më parë, përpara se të merrej vendimi, z. Davutoglu, nëpërmjet një shkrimi të publikuar, kritikonte Kushtetutën e re (e cila i jep z. Erdogan pushtet absolut), aleancën e AK-së me ultranacionalistët, censurën e përhapur dhe ndikimin e një “strukture paralele” të miqve, mbështetësve dhe zyrtarëve të qeverisë. Z. Gul dhe Ali Babacan, ish-zëvendëskryeministër për Ekonominë, së bashku edhe me disa ministra të tjerë, po përgatiten për t’u shkëputur nga partia qeverisëse për “Drejtësi dhe Zhvillim” dhe kanë si qëllim të krijojnë një parti të re, të paktën kështu qarkullojnë zërat për momentin. Ky grup ishte gati të bënte lëvizjen e tij në fillim të vitit, por vendosi të priste deri pas zgjedhjeve lokale, thotë Etyen Mahcupyan, një ish-këshilltar i qeverisë. “Ata do të veprojnë në vjeshtë”, tha ai më tej.

Nuk dihet ende nëse z. Davutoglu do të jetë pjesë e këtij grupi. Ai dhe z. Babacan nuk kanë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, shprehen persona të brendshëm të partisë AK. Por shumë varet edhe nga rezultati i zgjedhjeve për Kryebashkiakun e Stambollit, të cilat do të rizhvillohen më 23 qershor. Për z. Erdogan, humbja e zgjedhjeve në qytetin më të madh të vendit ishte një goditje shumë e fortë herën e parë. Nëse situata përsëritet, dhe ai do të humbasë përsëri në vetëm tre muaj, atëherë situata do të jetë e turpshme dhe e papërballueshme për të, aq sa të shkaktojë një krizë legjitimiteti.

Në një intervistë dhënë gjatë vitit 2001, në prag të shpalljes zyrtare të partisë për “Drejtësi dhe Zhvillim” (AK), z. Erdogan premtoi se në partinë e tij të re nuk do të kishte vend për autokratët: “Lideri i partisë nuk do ta eklipsojë partinë e tij”, u shpreh ai përpara 18 vitesh. Fillimisht, u duk sikur z. Erdogan po e mbante fjalën e tij, por nuk mund të themi të njëjtën gjë gjatë dekadës së fundit, periudhë gjatë së cilës, ai e ka konsideruar partinë e tij si pronë të tijën. Anëtarët e vjetër të gardës janë larguar prej tij. I frikësuar nga grushti i shtetit i vitit 2016 (edhe pse dështoi dhe gjatë së cilit z. Erdogan arrestoi rreth 60,000 njerëz), ai e ka rrethuar veten me persona që bien dakord me çdo gjë që ai thotë apo me çdo vendim të tijin. Fatkeqësisht besnikëria ndaj një lideri dhe një partie është një gjë krejtësisht tjetër.

AK-ja e vjetër ka kohë që nuk ekziston më, thotë Ibrahim Turhan, një ish-parlamentar turk. Kjo e tanishmja është thjesht “partia e Erdoganit”, përfundon ai. Se sa do të jetë mbështetja ndaj z. Erdogan dhe ndaj partisë në pushtet AK, kjo është një gjë që nuk dihet ende. I qartë është fakti se pakënaqësia ndaj partisë qeverisëse në vend po rritet. Disa prej analistëve shprehen se nga kjo deri te krijimi i një partie të re, do të duhej shumë punë dhe një mbështetje e madhe në popull. Kritikët laikë ironizojnë faktin se ish-përkrahësit e z. Erdogan do të kenë nevojë për një ndryshim radikal, përpara se ta etiketojnë veten si kundërshtarë të tij.

Z. Erdogan ka eliminuar një numër të shumtë kërcënimesh ndaj tij dhe pushtetit në mënyrat më të pamëshirshme, duke i treguar kështu secilit që do të vepronte në të njëjtën mënyrë, se edhe atë do ta priste po i njëjti fat. Disa analistë thonë, se nëse ai nuk donte të përballej me këtë situatë, atëherë duhet ta kishte parandaluar edhe këtë (si shumë të tjera) që në gjenezën e saj. Por nëse ajo materializohet, atëherë ajo të jetë njëkohësisht edhe sfida më e madhe me të cilën z. Erdongan është ballafaquar ndonjëherë.