Era e fuqishme shkakton dëme edhe në Mitrovicë

588
Mitrovica gjatë tërë natës është përfshi nga një erë e fuqishme, që ka shkaktuar dëme të konsiderueshme. Era ka shkatërruar tërësisht çatinë e një ndërtese shumëkatëshe dhe çatitë e disa shtëpive të tjera njëkatëshe. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në komunën e Mitrovicës, Musa Dragaj, inspektoi zonat ku era ka shkaktuar dëme, ku urdhëroi marrjen e masave konkrete për të evituar rreziqet që u janë kanosur qytetarëve.

Ai ka informuar se është dëmtuar edhe rrjeti elektrik në disa vendbanime të qytetit dhe si pasojë e kësaj, nga ora 18:00 e ditës së shtunë e deri rreth orës 12:00 të ditës së dielë ka pasur mungesë energjie në disa zona. Drejtori Dragaj ka thënë po ashtu, se edhe kanali i sistemit Ibër-Lepenc, paraqet rrezik për Lushtën e disa fshatra të tjera ku ai kalon, pasi që është mbushur përtej nivelit të duhur me ujë, si pasojë e mbylljes në disa vende ku janë vendosur rrjetat.

Ai apelon tek Kompania Ibër-Lepenc që të marrë masa për zhbllokimin e rrjetave, pasi ekziton rreziku real që uji të dalë nga kanali dhe të vërshojë në fshatrat përreth.
Sigal