Iran, gazetari i Washington Post dënohet me burg

443
Një gjykatë në Iran e ka dënuar gazetarin e Washington Post, Jason Rezaian, me burg në kohëzgjatje të paspecifikuar, lidhur me akuzat që përfshijnë edhe spiunim, kanë raportuar sot mediat iraniane. Ky vendim i gjykatës është kumtuar nga zëdhënësi i gjyqësisë së Iranit, Gholam Hossein Mohseni Ejei. “Vuajtja me burg është në dënimin e Jason Rezaianit, por nuk mund të paraqes detaje”, tha ky zëdhënës gjatë konferencës javore për gazetarë në Teheran, citon rel. Sipas tij, vendimi ende “nuk është finalizuar”, pasi mund të pritet apeli. Agjencia Associated Press raporton se Leila Ahsan, avokate e gazetarit Rezaian, ka thënë se ajo nuk është informuar për vendim.

Më 11 tetor, Jason Rezaian, i cili ka shtetësi iraniane dhe amerikane, është dënuar, por nuk janë dhënë kurrfarë detajesh. Jason Rezaian ishte shef i zyres së Washington Postit në Teheran. Televizioni shtetëror iranian vazhdimisht i referohet gazetarit Rezaian si “spiun amerikan”. Kjo akuzë është hedhur poshtë nga Washington Post dhe familja e gazetarit Rezaian.
Sigal