Ende asnjë marrëveshje për Greqinë, e enjtja afati i fundit

431
Raundi i fundit i bisedimeve midis Greqisë dhe zyrtarëve të BE-së në Bruksel, të dielën, nuk ia ka dalë të sjellë një marrëveshje, pavarësisht se Greqia ka paraqitur një kundër propozim.
Një zyrtar i Komisionit Europian tha se ndërsa ishte bërë progres të dielën, mbeteshin diferenca të rëndësishme.
Europa do që Greqia të bëjë shkurtime shpenzimesh me vlerë 2 miliardë euro, që do të mundësonte zhbllokimin e fondeve të ndihmës.
Një zyrtar i Greqisë tha se Athina mund të mos bjerë dakord që të ulë pagat ose pensionet, apo të rrisë TVSH-në për energjinë.
“Delegacioni grek mbetet gati për të përfunduar negociatat dhe të arrijë një zgjidhje me përfitime shumëpalëshe,” tha ai.
Vendi, që po mbetet pa para, po përpiqet të arrijë një marrëveshje financimi me Bashkimin Europian dhe FMN përpara mbarimit të qershorit, marrëveshje që do t’i mundësonte të shmangte një falimentim.
Ministrat e financave të eurozonës do të diskutojnë për Greqinë kur ata të takohen të enjten. Kjo mbledhje shihet si shansi i fundit i Greqisë për të arritur një marrëveshje. 
‘Po humbet durimi’
Bisedimet po kryhen në një kohë që Gjermania po e shton presionin mbi Greqinë.
Zv/kancelari Sigmar Gabriel tha të dielën se shtetet e Europës po e humbin durimin me Greqinë.
Gjermania do që ta mbajë Greqinë në eurozonë, por duket shkruajtur tek Bild, ai paralajmëroi se “jo vetëm që koha po mbaron, por gjithashtu dhe durimi në Europë “.
Artikulli i tij shihet si një paralajmërim, veçanërisht pasi partia e tij në të kaluarën kishte shfaqur qëndrim mbrojtës ndaj Greqisë.
“Kudo nëpër Europë po shtohet ideja se mjaft është mjaft,” shkruante ai.
‘Kompromis i vështirë’
Greqia po përpiqet që të shmangë një falimentim për një pagesë borxhi prej 1.5 miliardë eurosh që duhet të kryejë për FMN-në deri në fund të muajit.
Kreditorët kanë kërkuar shkurtime në shpenzime, në kërkim të një tjetër transhi të fondeve shpëtuese.
Por, partia qeverisëse e majtë e Syriza, e udhëhequr nga Alexis Tsipras, u zgjodh në janar, pas premtimeve për t’i dhënë fund masave jo popullore shtrënguese, të rriste pagën minimale dhe të hapte më shumë vende pune.
Gjithsesi, të shtunën, z. Tsipras e paralajmëroi popullin grek që të përgatitej për një kompromis të vështirë./Monitor/ 
Sigal