Drogë, pastrim parash e zhvatje, dhjetë shqiptarë të arrestuar

178
Sigal

Dhjetë shqiptarë janë midis 20 të arrestuarve nga karabinierët dhe Guardia di Finanza dje pasdite në Vasto, provinca e Chiettit.

Të arrestuarit përbënin një organizatë kriminale e dedikuar trafikut të drogës dhe zhvatjeve, duke përdorur forma dhune dhe ndihmën e armëve.

18 prej tyre janë në burg, dy janë lënë në arrest shtëpie. Pjesa më e madhe e shqiptarëve të përfunduar në pranga janë me rezidencë në Itali, një tjetër në Gjermani, ndërkohë që të arrestuarit e tjerë janë italianë.

Banda e ushtronte aktivitetin kriminal në rajonin e Vastos dhe në Molisson e sipërm, duke zënë territorin e një bande që ishte shkatërruar më parë nga autoritetet italiane.

Anëtarët e grupit kishte aktivitete të shumtë biznesi në pamje të jashtme të ligjshme por që financoheshin nga të ardhurat e trafikut të drogës. Bëhet fjalë kryesisht për bare, dyqane fruta-perimesh, dyqane makinash, lotari, salla lojërash e bastesh, të gjitha vende të përshtatshme për pastrimin e parave të fituara nga aktiviteti ilegal.

Droga vinte nga Kalabria dhe shitej në Vasto. Si bazë operative për grupin shërbente bari ‘Blu Marine III’ në San Salvo, tashmë i sekuestruar nga forcat e rendit.