Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, Lajçak: Është në rrugë të mbarë, ja temat që u diskutuan

98
Sigal

Negociatorët e Kosovës dhe Serbisë ditën e sotme janë takuar në Bruksel për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të makinave.

Ndërkohë përfaqësuesi i BE-së Mirosllav Lajçak, nëpërmjet postimi në rrjetet sociale, ka bërë me dije se takimi mes negociatorëve është në rrugë të mbarë.

Ai ka thënë se kanë një agjendë të plotë të çështjeve aktuale, duke përfshirë targat.

“Takimi i sotëm i kryenegociatorëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në rrugë të mbarë. Ne kemi një agjendë të plotë të çështjeve aktuale, duke përfshirë targat, zbatimin e marrëveshjeve të kaluara të Dialogut dhe përgatitjen e terrenit për një takim të ardhshëm të nivelit të lartë.”- ka shkruar ai.

Më 30 shtator të vitit të kaluar në Bruksel është arritur një marrëveshje e përkohshme lidhur me targat, me kusht që një marrëveshje përfundimtare të arrihej brenda gjashtë muajsh.

Me marrëveshjen e përkohshme, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që automjetet e dy vendeve, gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës, t’i mbulojnë me letra të bardha ngjitëse simbolet shtetërore në targa.

Marrëveshja është arritur pas disa ditësh trazira në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kishin bllokuar rrugë, për të kundërshtuar vendimin e atëhershëm të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti. Me ato masa, automjetet me targa të Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, është dashur të vendosin targa të përkohshme – ngjashëm siç kanë vepruar shoferët e automjeteve me targa të Kosovës kur kanë hyrë në Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 18 prill se për Kosovën është i padiskutueshëm dhe i panegociueshëm “parimi i reciprocitetit si thelb i çfarëdo zgjidhjeje të ardhshme” për çështjen e targave.

Këto deklarata të Kurtit, në Serbi i kanë parë si kërcënim.