Denoncimi i drejtuesit të lartë të LDK Hoti: Në 10 vjet Kosova asnjëherë më keq se sot

496
Shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, ka treguar në Interaktiv , se ideja e konferencave të së premtes në mesditë është që të krijohet një kulturë tjetër të bërjes së opozitës, duke u kthyer te një traditë e gjatë që e ka pasur LDK-ja gjatë viteve të 90-ta duke informuar qytetarët çdo të premte.
“E çdo të premte grupi jonë parlamentar do të dalë në konferencë për shtyp për të treguar për zhvillimet politike në vend dhe punën që po bën në Kuvendin e Kosovës, të bërit opozitë që tash është një model krejt tjetër nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe sfidat që kemi çdo ditë qe kemi në seancat e Kuvendit”, ka thënë Hoti.
Hoti ka thënë se “tash nuk jemi në gjendjen e viteve të 90-ta megjithatë gjendja është mjaft e keqe dhe janë dëmtuar mjaft shumë institucionet e vendit dhe imazhi i shtetit të ri të Kosovës”.
“Dhe ne duhet të punojmë që qytetarët të jenë të informuar plotësisht nga këto zhvillime që po ndodhin dhe të kërkojmë mbështetje më të madhe qytetare që në zgjedhjet e ardhshme, që besoj se do të mbahen së shpejti, të marrim mbështetjen e nevojshme për të krijuar institucione stabile, sepse vendit i duhen institucione stabile të ndërtuara mbi një vizion të qartë për të ardhmen evropiane të Kosovës, dhe jo institucione që krijohen për interesa të ngushta të partive që përbëjnë koalicionin”, ka thënë Hoti.
Hoti ka shprehur bindjen se Kosova kurrë në këto dhjetë vitet e fundit nuk ka qenë më keq si shtet i ri.
“Nuk kemi qenë asnjëherë më të izoluar. E kemi kryeministrin e vendit i cili diskutohet a i lëshohet viza apo jo dhe është ngjarje për Qeverinë kur kryeministrit i lëshohet viza. Nuk ka asnjë personalitet të rëndësishëm që viziton Kosovën, ndërmerren veprime që e izolojnë Kosovën dhe që i shtyjnë vendet mike, BE-në në veçanti dhe SHBA-në që të konsiderojnë edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës. Natyrisht kemi pasur probleme, por jo të tilla që ne vetë ta izolojmë Kosovën”, ka thënë Hoti.
Hoti ka folur edhe për seriozitetin e çështjes së idesë së zhbërjes së Speciales.
“Vet tre liderët e vendit tash po e dokumentojnë me tërheqjen mbrapa edhe rrezikun që mund t’i vije Kosovës nga shfuqizimi i atij ligji dhe kthimi në fuqi të rezolutës 1244, izolimit të plotë të Kosovës nga partnerët ndërkombëtarë. Tash u tërhoqën nga ajo nismë, megjithëse duhet të thuhet se nuk është fare kredibile”, ka thënë Hoti, ndonëse nuk beson se janë tërhequr plotësisht.
“Aspak nuk besoj se janë tërhequr plotësisht, kur ta zëmë kryeministri që i ka deputetët e tij në Kuvend janë ende nënshkrues të kësaj nisme, ose kryetari i Kuvendit që ka disa deputetë që ende janë nënshkrues. Kridibile do të ishte vetëm nëse këta të tre do i tërhiqnin këta deputetë nga kjo iniciativë, ndryshe është vetëm shtyrje e problemit për një ditë tjetër”, ka thënë ai.
Hoti ka thënë secili prej zyrtarë të lartë të SHBA-së e kanë bërë të qartë që Kosova do ta ketë mbështetjen në rast se qëndron në rrugën e trasuar bashkërisht.
“Nuk guxojmë të rrezikojmë miqësinë që kemi ndërtuar. Edhe vet Pavarësia është krijuar në bashkëpunim me ta, dhe kemi vetëm dy rrugë në këtë aspekt ose atë të Perëndimit dhe SHBA-së ose atë të Lindjes e Rusisë”, ka thënë Hoti.
Sigal