Fjala ‘Çifut’ e Kryeministrit tërbon politikën shqiptare

516
Vijojnë debatet edhe pas seancës parlamentare të së enjtes, fjala ‘çifut’, ofenduese dhe jo aktuale 
Debate të shumta vijojnë edhe pas seancës parlamentare të kësaj të enjteje ku mes të tjerave Kryeministri i vendit, Edi Rama përmendi frazën “ju jeni gati të bëheni çifutë, jeni gati të bëheni eskimezë, jeni gati të bëheni dele e zezë e këtij vendi”. Pikërisht fjala ‘çifutë’ ka ngjallur reagime të shumta në radhët e politikës, të cilët e kanë cilësuar si jo etike, ofenduese dhe aspak aktuale për ditët e sotme. 

Sali Berisha: Edi Rama rikthen në parlament gjuhën e urrejtjes të Enver Hoxhës ndaj hebrenjve!
Në komentin e tij ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh: “Edvin Kristaq Rama riktheu pas dekadash në parlament gjuhën e urrejtjes së etërve të tij mizorë, Enver Hoxhës dhe klikës së tij ndaj hebrenjve. Neo-bllokmeni Edivin Kristaq Rama përdori në parlament terminologjinë tipike hoxhiste ndaj hebrenjve. Ai, në një shpërthim urrejtje dhe përçmimi ndaj deputetëve të opozitës, por edhe kombit hebre, tha në parlament se “ju jeni gati të bëheni çifute, jeni gati të bëheni eskimez, jeni gati të bëheni dele e zezë e këtij vendi..” Kjo është një fyerje antisemite, tipike hoxhiste ndaj kombit hebre. Ky është një akt tejet i rëndë dhe i papërgjegjshëm i një njeriu që ruan trashëgiminë dhe urrejtjen e etërve të tij ndaj një kombi mik, ndaj një kombi që nga urrejtja raciste përjetoi Holokaustin në Luftën e Dytë Botërore. Rama, njëlloj si Enver Hoxha, me gjuhë përçmuese dhe urrejtje zgjodhi për të fyer deputetët e opozitës me krahasimin e tyre me çifutë dhe eskimez, apo dele të zezë, duke besuar se me këto epitete mund t’i poshtërojë ata. Me këtë rast, duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë deklaratë antisemite, i them Edi Ramës se as Hitleri dhe as Enveri apo Hitleri shqiptar nuk arriti kurrë të cenojë respektin, miqësinë e shqiptarëve ndaj hebrenjve dhe nuk mund ta cenojë askush. Shqiptarët me qëndrimin e tyre ndaj Holokaustit firmosën faqet ndër më të ndritura në historinë e tyre, por edhe të qytetërimit perëndimor!”

Petrit Vasili: Tani do bëjmë politikën e kryeministrit antiamerikan dhe antihebre
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka pasur një reagim ndaj kryeministrit Edi Rama, pas fjalës së tij të enjten në Kuvend, ku në një moment, teksa fliste për rezolutën e PD-së, kundër votës së Shqipërisë ndaj Amerikës, përdori përcaktimin ‘çifut’. “Kryeministri foli me gjuhën e një nazisti dhe i quajti hebrenjtë ÇIFUTË. Moralisht dhe politikisht mbas një ngjarje kaq të rëndë nuk duhej të ishte më sot kryeministri i Shqipërisë”- shkruan Vasili. “Të enjten në mes të parlamentit kur diskutohej rezoluta amerikane e presidentit Trump për Jerusalemin dhe vota antiamerikane e qeverisë, kryeministri foli me gjuhën e një nazisti dhe i quajti hebrenjtë ÇIFUTË. Moralisht dhe politikisht mbas një ngjarjeje kaq të rëndë nuk duhej të ishte më sot kryeministri i Shqipërisë. Të gjithë pritën që ambasada amerikane të reagonte shumë fort për këtë gjuhë të egër antisemite të kryeministrit. Ambasada nuk foli!? Ajo foli dhe u shfaq vetëm në darkën e vonë, “e lumtur” që kryeministri votoi kundër ONM dhe kandidatët e rrëzuar prej saj, pra prej vetë Amerikës, tani do të bëjnë drejtësinë e kryeministrit antiamerikan dhe antihebre”.

Sigal