Presidenti Meta: Ndryshimet në Kodin Penal, të domosdoshme në luftën kundër pandemisë

422
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një intervistë në emisionin “Opinion” deklaroi se ndryshimet në Kodin Penal për përhapjen e qëllimshme të sëmundjeve ishin të nevojshme. Ai deklaroi se amendimet në Kod nuk penalizojnë çdo qytetar, por rastet kur kemi të bëjmë me përhapje të qëllimshme.

“Së pari duhet të kemi parasysh që kishte një boshllëk në Kodin Penal për menaxhimin e një situate të tillë. Së dytë nuk duhet të harrojmë që ka një dallim nga propozimet tek ndryshimet e miratuara në Kuvend në variantin final. Sigurisht që këto ndryshime u realizuan si pasojë e një bashkëpunimi me Avokatin e Popullit, KSHH, e shoqëria civile. Këtu nuk bëhet fjala për kënaqësi por mund t’ju them se ndryshimet e bëra respektojnë parimet e sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit. Këto ndryshime të Kodit Penal, pavarësisht se u votuan nga ky Kuvend, që e dimë të gjithë se çfarë problemesh ka, duhet të kemi parasysh që ishin të rëndësishme dhe të domosdoshme, sepse ne nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo situatë”,- tha kreu i shtetit.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, tha  se shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore duhet të ishte me një afat më të shkurtër se dy mujor. Kreu i shtetit tha se ende nuk ka një qëndrim për këtë kërkesë të qeverisë, pasi nuk ka parë argumentet ku është bazuar.

Mendoj se kjo shtyrje mund të ishte bërë me anjë afat 30 ditor, megjithatë duhet të shoh argumentet dhe relacionin”,- tha Presidenti Meta.  Qeveria ka kërkuar shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor, ndërkohë që Kushtetuta përcakton se situatat e emergjencës dhe gjendjes së jashtëzakonshme duhet të shpallen jo më shumë se 30 ditë.

Lidhur me marrjen e masave nga qeveria, Presidenti Meta u shpreh se nuk kanë qenë të ashpra dhe ishin të nevojshme. “Nuk mendoj se ka qenë e ekzagjeruar, për arsye se në jemi fqinj të Italisë dhe jemi vendi që kemi marrëdhënie me të ngushta. Italia ishte një nga viktimat kryesore të kësaj pandemie”,- tha kreu i shtetit.