Basha: Qytetarët të ngrenë zërin kundër Ramës

400
Kryetari i Partisë Demokratike reagon pas kërkesës për procedimin e protestuesve para bashkisë së Tiranës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi me anë të një deklarate lidhur me procedimin penal të disa protestuesve përpara bashkisë së Tiranës gjatë kohës që zhvillohej mbledhja e këshillit bashkiak për rritjen e çmimit të ujit. “Edi Rama dhe veglat e tij në krye të Bashkisë Tiranë kanë kërkuar procedim penal kundër qytetarëve që ngritën zërin para bashkisë ndërsa ata ngritën në mënyrë kriminale çmimin e ujit. Rama e di që ka vetëm një mënyrë për të plaçkitur dhe për të dhunuar një vend: shuarja e çdo zëri kritik dhe persekutimi i çdo kujt që guxon të shprehet dhe veprojë kundër. Prandaj ai po përdor kundër qytetarëve kryeveglën e tij në Tiranë, i cili vetë akoma nuk ka dhënë llogari në prokurori për vrasjen e Ardit Gjoklajt dhe shfrytëzimin skllavëror të fëmijëve për të mbushur xhepat e tij dhe klientëve të tij. Është përpjekje e dëshpëruar e njerëzve të zhytur në të keqe për të ngjallur frikë tek populli i tyre”, u shpreh Basha. Sipas tij, qytetarët nuk duhet të tremben, sepse janë më të fortë se çdo regjim dhe çdo qeveri. “Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të ngrenë zërin dhe të reagojnë ndaj këtij veprimi burracak kundër njerëzve të lirë dhe të drejtave të tyre”, tha Basha.
Ndërkohë, në një protestë para bashkisë së Tiranës është mbledhur dje Forumi Rinor i Partisë Demokratike, kundër rritjes së çmimit të ujit. “Nën thirrjes hajdut, lali Leku” të rinjtë demokratë kërkuan dorëheqjen e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. 
Tre ditë më parë, me votat e PS-së, PDIU-së dhe dy anëtarëve të përjashtuar tashmë nga LSI, këshilli bashkiak i Tiranës vendosi rritjen e çmimit të ujit të pijshëm. Megjithatë vendimi final do t’i takojë Entit Rregullator të Ujit, ndonëse votimi në këshillin bashkiak të Tiranës ishte një test i fortë politik për të parë rreshtimet e partive kryesore. Pas votimit nuk munguan edhe akuzat mes dy partive të deklaruara si opozitare, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. E vetme, Partia Socialiste nuk e zotëronte shumicën në këshillin bashkiak të kryeqytetit, duke e bërë të pamundur miratimin e propozimit për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm. Për këtë arsye, vota e dy këshilltarëve të përjashtuar nga LSI-ja ishte vendimtare për të përcaktuar fatin e kërkesës së kryebashkiakut Erjon Veliaj. Sipas tij, kërkesa për rritjen e çmimit është një kusht për të përfituar kredi, me synim shtimin e investimeve për rrjetin e ujit në bashkinë e Tiranës. Kryebashkiaku premtoi edhe shtimin e orëve të furnizimit me ujë në bashkinë e Tiranës, pas përmirësimit të treguesve financiarë të ndërmarrjes së ujësjellësit.
Sigal