BE s’komenton paralajmërimet e Serbisë për të penguar Kosovën drejt Këshillit të Evropës

24
Sigal

Bashkimi Evropian tha se nuk dëshiron të komentojë paralajmërimet e Serbisë se do të punojë për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Nga blloku evropian vetëm përsëritën thirrjet ndaj të dyja palëve që të zbatojnë me urgjencë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve një vit më parë.

Kosova është në pritje të vendimit për pranimin eventual në Këshillin e Evropës dhe gjasat për anëtarësim janë rritur pas dhënies së mendimit pozitiv nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate.

Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë thirrje Qeverisë serbe që të formojë një grup të veçantë për të punuar në parandalimin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Neni 4 i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit, që Kosova dhe Serbia arritën në shkurt të vitit 2023, thotë se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Në pyetjen se a është Serbia duke e shkelur këtë marrëveshje, arritjen e së cilës e ka lehtësuar BE-ja, duke kundërshtuar pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, dha një përgjigje të përgjithësuar.

“Nuk dua të hyjë në komente të asaj se çfarë është thënë se çfarë dëshiron të bëjë presidenti Vuçiq. Unë mund të përsëris se, bazuar në pritjet e Bashkimit Evropian, si Serbia ashtu edhe Kosova duhet pa vonesa të tjera të nisin të zbatojnë marrëveshjen për të cilën ishin pajtuar para më shumë se një viti në Ohër. Kjo është me rëndësi të madhe. Kur bëhet fjalë për Këshillin e Evropës, çështjet e anëtarësimit i takojnë Këshillit të Evropës”, tha Stano.

Ai përsëriti thirrjet e BE-së për Kosovën dhe Serbinë që të fokusohen në zbatimin e marrëveshjes si çështje urgjente dhe se kjo, sipas këtij zëdhënësi, po u komunikohet palëve nga ana e bllokut.

“Nëse ata dështojnë, apo nëse vazhdojnë të dështojnë në zbatimin e asaj për çfarë janë pajtuar, kjo do të ketë pasoja serioze. Këto pasoja janë të lidhura me integrimin e tyre në BE”, tha Stano.

Në pyetjet e përsëritura se pse BE-ja nuk deklarohet nëse Serbia, me veprimet e saj kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, po e shkel marrëveshjen, Stano përsëriti se “Këshilli i Evropës është një organizatë e ndryshme nga BE-ja”.

Edhe në pyetjen se a e marrin seriozisht kërcënimin e Serbisë se do të largohet nga Këshilli i Evropës në rast se Kosova bëhet anëtare, ky zëdhënës i BE-së ka përsëritur se nuk i takon BE-së të komentojë për këtë çështje.

“Këshilli i Evropës është një organizatë krejtësisht e ndryshme nga Bashkimi Evropian. Pra, kjo nuk duhet të ngatërrohet. Nëse një vend vendosë të nisë diskutimet për t’u larguar nga anëtarësia në Këshillin e Evropës apo të modifikojë anëtarësinë, kjo vërtetë nuk është diçka që i takon Bashkimit Evropian të komentojë”, u shpreh Stano.

Ai shtoi se, megjithatë, Këshilli i Evropës është një organizatë shumë e rëndësishme për demokraci dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Kosova synon të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në muajt në vijim, pasi javën e kaluar, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se ajo i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Asambleja Parlamentare pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës në prill, dhe nëse ajo jep dritën jeshile, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj.