Ban Ki-Moon dënon dhunën në Kuvendin e Kosovës, mbështet asociacionin

455
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon në raportin e tij më të ri për zhvillimet në Kosovë ka dënuar përdorimin e dhunës nga partitë opozitare.
Ndërsa, Ban Ki- Moon ka përshëndetur dialogun në Bruksel dhe marrëveshjen mbi krijimin e Asociacionit të komunave serbe, bën të ditur RTK. “E dënoj përdorimin e dhunës dhe frikësimin nga partitë opozitare që pengojnë punimet normale të Kuvendit të Kosovës, si dhe sulmet e papranueshme fizike nga ana e aktivistëve të opozitës drejtuar Kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë,” thekson në raport Sekretari Ban Ki-Moon. Ai u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë të përmbahen nga retorika dhe veprimet që janë të papajtueshme me parimet dhe normat e një shoqërie të civilizuar dhe demokratike.

“Aktet e tilla dëmtojnë besimin e publikut në këto institucione, si dhe imazhin e Kosovës në botë. U bëj thirrje sidomos aktorëve politikë të opozitës që të përmbushin detyrat e tyre me përgjegjësi dhe pjekuri, duke respektuar plotësisht procesin demokratik dhe institucionet për të cilat janë zgjedhur”, thekson Ban Ki-Moon. Sekretari i Përgjithshëm edhe njëherë i është rikthyer dialogut në Bruksel duke e përshëndetur siç thotë, ‘përparimin e vazhdueshëm dhe marrëveshjet e arritura mes Beogradit dhe Prishtinës e në veçanti parimet e përgjithshme dhe elementët kryesorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.‘ Ai thotë se themelimi i këtij associacioni është ‘një hap thelbësor drejt zbatimit të plotë të kësaj marrëveshje historike dhe përmirësimit të mëtejshëm të jetës e përditshme të popullatës së Kosovës.

Sekretari Ban Ki-Moon përgëzon kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë në kryerjen e këtij procesi dhe inkurajon ‘të gjithë liderët në Prishtinë dhe Beograd që të mbështesin finalizimin e statutit të associacionit të komunave sipas kornizës së dakorduar kohore, si dhe të sigurojnë zbatimin e shpejtë të të gjitha marrëveshjeve të përfshira në pakon e 25 gushtit. Sekretari i Përgjithshëm gjithashtu ka përshëndetur ‘miratimin e shumëpritur të amendamentin kushtetues dhe ligjet e tjera për krijimin e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës,’ duke e quajtur këtë ‘një progres vendimtar për të demonstruar përkushtimin e Kosovës ndaj parimeve themelore të drejtësisë dhe llogaridhënies.’ Nën presidencën e Britanisë së Madhe për këtë muaj, anëtarët e Këshillit të Sigurimit do të debatojnë dhe vlerësojnë zhvillimet tremujore të prezantuara në këtë raport të enjten më 19 nëntor.
Sigal