Anëtarësimi në NATO/ Kryeministrja e Finlandës: Të përgatitemi mirë, siguria…

138
Sigal

Në një intervistë për gazetën italiane Corriere della Sera, kryeministrja e Finlandës Sanna Marin ka folur për çështjen e anëtarësimit të vendit të saj në NATO. Vendi kandidat përjashton mundësinë që aleanca të vendosë një bazë të përhershme ushtarake ose armë bërthamore në tokën finlandeze.

“Askush nuk do të na imponojë armë bërthamore ose baza të përhershme nëse ne nuk i duam ato. Kjo çështje nuk është në rend dite. Nuk më duket se ka interes për vendosjen e armëve bërthamore apo hapjen e bazave të NATO-s në Finlandë”.

Ajo foli edhe për një hakmarrje të mundshme nga Rusia lidhur me kërcënimet e hershme të Moskës për përdorimin e armëve bërthamore nëse Stokholmi dhe Helsinki pranohen në NATO.

“Presidenti ynë, Niinisto, ka biseduar me presidentin Putin dhe reagimi i tij ishte çuditërisht i qetë. Shpresojmë që të mos ketë sulme nga pala ruse, por nëse do të ketë, ne jemi të përgatitur mirë për të përballuar çdo situatë, përfshirë sulmet kibernetike apo hibride”.

Marin nuk i shpëtoi dot pyetjes për kundërshtimet e tanishme të Turqisë për t’ju bashkuar aleancës.

“Mendoj se në këtë fazë është e rëndësishme të qëndrojmë të qetë, të kemi diskutime me Turqinë dhe me të gjitha vendet e tjera anëtare, duke iu përgjigjur çdo pyetjeje që mund të ekzistojë dhe duke korrigjuar çdo keqkuptim. Çdo problem mund të zgjidhet me diskutim dhe vullnet të mirë”.

Marin përfundon duke thënë se vendi i saj ka marrë garanci nga shumë vende nëse gjatë procesit vendi përballet me veprime të mundshme ushtarake nga Rusia.