Sulo Haderi: “Shtohen ambientet e gjelbëruara për studentët, falë mbështetjes së Kryebashkiakut Basha”

551
Sigal

INTERVISTA/Flet dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Sulo Haderi për projektin e zgjerimit të ambienteve të gjelbëruara

Fakultetit të Ekonomisë po i shtohen përreth hapësira të gjelbëruara dhe pemë, të cilat po mbillen me financimin e Bashkisë së kryeqytetit. Këtë nismë të bashkisë e ka përgëzuar dhe në një intervistë për “Telegraf”, Prof. Sulo Haderi. Zoti Haderi thekson se, shtimi i kësaj hapësire të gjelbër i jep më shumë hapësirë studentëve të Fakultetit të Ekonomisë. Për kthimin e kësaj hapësire sipas dekanit të Ekonomikut një meritë dhe një falënderim të veçantë ka kreu i Bashkisë Lulzim Basha, i cili edhe e ka financuar mbjelljen e pemëve.

 -Zoti Haderi, në ambientet përreth Fakultetit të Ekonomisë ka filluar një investim për shtimin e hapësirave të gjelbra dhe mbjelljen e pemëve, mund të na thoni diçka më konkrete për këtë projekt?

Fakulteti i Ekonomisë prej vitesh ka pasur një problem në lidhje me ndërtimet pa leje, të cilat janë të pranishme, si në pjesën ballore po ashtu edhe në pjesën anësore. Pra këto ndërtime janë shumë afër fakultetit, dhe si të tilla kufizojnë mbarëvajtjen e punës dhe pengojnë procesin mësimor. Në pjesën e përparme fakulteti ka pasur një konflikt me vendimmarrësit lidhur me dhënien e lejes për një ndërtim. Ka qenë një problem që ka zgjatur për gati 12 vjet. Është një problem që nuk është zgjidhur përfundimisht, janë anuluar dy herë lejet nga organi më i lartë. Ka pasur herë pas here debate, ato kanë marrë edhe një leje drejtimi, e cila ka skaduar dhe në këtë kuadër ne kemi biseduar si institucion kreun e Bashkisë së Tiranës zotin Basha. Si përgjigje na janë kthyer ambientet e lira dhe sot ka filluar pjesa e parë nga punonjësit e bashkisë për mbjelljen e pemëve dhe shtimin e gjelbërimit përreth fakultetit.

 -Me zgjerimin e hapësirave dhe shtimin e pemëve, sa do të lehtësohet puna për studentët e këtij fakulteti?

Ne e shohim këtë si një zhvillim mjaft pozitiv dhe që do të lehtësojë punën ndjeshëm për mbarëvajtjen e punës. Kjo do të lehtësojë punën ndjeshëm pasi ne kemi dhe një ngarkesë të madhe studentësh. Pra kemi një numër prej 10000 studentësh. Dhe njëherë e përsëris që kjo është një gjë mjaft e mirë. Ky numër i madh studentësh krahas ambienteve të brendshme e kanë të nevojshme edhe hapësirën e jashtme, e cila po mbushet me pemë dhe me hapësira të gjelbëruara.

 -Për realizimin e këtij plani ju keni pasur edhe mbështetjen e Bashkisë. A qe e vështirë që të gjenit këtë mbështetje?

Projekti financohet nga bashkia. Unë kam kontaktuar edhe me forcat e rendit të bashkisë, të cilët sigurojnë edhe mbështetjen e tyre në këtë proces. Pasi dihet që kjo zonë ka shërbyer edhe si parkim më parë dhe forcat e bashkisë janë prezent për të mos pasur ndonjë incident. Ajo që unë dua të them është që unë dua të falënderoj Bashkinë e Tiranës dhe në mënyrë të veçantë Kryetarin e Bashkisë Lulzim Basha për mbështetjen që i ka dhënë Fakultetit Ekonomik për mbështetjen dhe për financimin e këtij projekti.

 -Sipas informacioneve që keni a është zgjidhur përfundimisht çështja e hapësirave përreth fakultetit, pasi përmendët më lart që prej vitesh ka pasur probleme me ndërtime?

-Ne duhet të kontaktojmë me bashkinë përsëri për të marrë përgjigjen përfundimtare në lidhje me zgjidhjen e problemit. Por fillimi i punës për mbjelljen e pemës nënkupton që kjo çështje është zgjidhur njëherë e mirë dhe këto hapësira do i lihen Fakultetit Ekonomik. Pra edhe njëherë do të gjeja rastin që të përshëndesja kryetarin e Bashkisë zotin Basha, pasi i ka dhënë zgjidhje këtij problemi.

 Studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të  Tiranës, letër falënderimi për Kreun e Bashkisë Lulzim Basha

 Merr fund odisea e gjatë e bllokimit të ambienteve shkollore dhe atyre universitare në Tiranë. Kryebashkiaku Lulzim Basha  i ka kërkuar Inspektoratit të Policisë Ndërtimore pranë bashkisë së kryeqytetit që mos të tolerojnë asnjë individ, apo subjekt juridik të përvetësojë apo të zaptojë qoftë edhe 1 metër katror nga pronat, të cilat janë pjesë e territorit apo gjelbërimit rrethues të  universiteteve dhe shkollave të ciklit të mesëm e të ulët në Tiranë. Në këtë kuadër dje punonjësit e gjelbërimit kanë filluar mbjelljen e pemëve dekorative përreth Fakultetit Ekonomik, duke krijuar tek studentët një ndjesi të veçantë për përkushtimin e bashkisë dhe të kreut të saj Basha. Ky rast është ndryshe nga paraardhësit në vite të Lulzim Bashës që nga njëra anë bënin sikur prishnin ndërtime 2- katëshe dhe nga ana tjetër jepnin leje për gradaçela. Apo akoma më keq kur  gjatë ditës mbillnin barë e shkurre dhe natën hapnin gropat për pallatet shumëkatëshe. Duke ndjerë kënaqësinë se këto marifete të pista nuk do të përsëriten më, i gjithë stafi i Fakultetit Ekonomik, studentët e tij dhe vetë Universiteti i Tiranës  gjejnë rastin të falënderojnë Kryebashkiakun Basha që premtimin e dhënë gjatë fushatës që e mbajti duke e  bërë realitet qendrën studentore për një ambient të pastër dhe të qetë. Nga ana tjetër me mbjelljen e pemëve Basha i dha një shuplakë të fortë të gjithë atyre pseudo- ambientalistëve që e akuzuan se po prish parkun përballë Ekonomikut, duke prerë pemët  gjatë zgjerimit të rrugës.

E.M