Studimet part-time, 30 prill përfundon regjistrimi përfundimtar i studentëve

605
Sigal

Udhëzimi i ministres Nikolla, për regjistrimin part-time në universitetet publike të nxënësve që kanë mbaruar të mesmen para 2010-s

Universitetet publike i dërgojnë Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP), në formë shkresore edhe elektronike brenda datës 4 prill 2014, listën e kandidatëve që kanë filluar studimet part-time në vitin akademik 2012-2013, apo 2013-2014, të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme para viti 2010, ndërsa “AKP-ja, brenda datës 30 prill 2014, u dërgon institucioneve publike të arsimit të lartë listën përkatëse me numrat e matrikullimit të studentëve”, thuhet në udhëzimin e ri të Ministres së Arsimit Lindita Nikolla. Gazeta “Telegraf” zbardh të plotë Udhëzimin nr. 7, datë 24.3.2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës nr.47, dt. 27.8.2013 “Për procedurat e pranimit dhe të regjistrimit në ciklin e parë me kohë të pjesshme dhe edukimit në distancë, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2013-2014” dhe Udhëzimin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës nr.20, dt.12.9.2012 “Për procedurat e pranimit dhe të regjistrimit në ciklin e parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, në institucionet publike të arsimit të arsimit të lartë, në vitin akademik 2012-2013”. Ministrja Nikolla udhëzon:

1. Germa “a” e pikës 4 të udhëzimit të ministrit të Arsimit dhe Shkencës nr. 47, datë 27.8.2013, ndryshon si më poshtë:

“Fotokopje të noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore dhe certifikatës së notave, dëftesë pjekurie të shkollës së mesme (për kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 876, datë 3.11.2010 “Për disa ndryshime në vendimin nr. 78, datë 8.2.2006 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike”, të ndryshuar, origjinali ose fotokopje të saj të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore DAR/ZA) ose të ndonjë dëftese/diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të në Shqipëri.”.

2. Fjalia në fund të pikës 5 të udhëzimit të ministrit të Arsimit dhe Shkencës nr. 47, datë 27.8.2013, hiqet.

3. Në pikën 13 të udhëzimit të ministrit të Arsimit dhe Shkencës nr. 47, datë 27.8.2013, shtohet paragrafi si më poshtë:

“Institucionet publike të arsimit të lartë i dërgojnë Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP), në formë shkresore dhe elektronike (hardcopy dhe në CD), brenda datës 4 prill 2014, listën e kandidatëve që kanë filluar studimet në vitin akademik 2013-2014, të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 876, datë 3.11.2010 “Për disa ndryshime në vendimin nr. 78, datë 8.2.2006 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike”, të ndryshuar. AKP-ja, brenda datës 30 prill 2014, u dërgon institucioneve publike të arsimit të lartë listën përkatëse me numrat e matrikullimit të studentëve.”.

4. Germa “a” e pikës 4 të udhëzimit të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës nr. 20, datë 12.9.2012 ndryshon si më poshtë:

“Fotokopje të noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore dhe certifikatës së notave, dëftesë pjekurie të shkollës së mesme (për kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 876, datë 3.11.2010 “Për disa ndryshime në vendimin nr. 78, datë 8.2.2006 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike”, të ndryshuar, origjinali ose fotokopje të saj të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore DAR/ZA) ose të ndonjë dëftese/diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të në Shqipëri.”.

5. Fjalia e fundit e pikës 5 të udhëzimit të ministrit të Arsimit dhe Shkencës nr. 20, datë 12.9.2012, hiqet.

6. Në pikën 13 të udhëzimit të ministrit të Arsimit dhe Shkencës nr. 20, datë 12.9.2012, shtohet paragrafi si më poshtë:

“Institucionet publike të arsimit të lartë i dërgojnë Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP), në formë shkresore edhe elektronike (hardcopy dhe në CD), brenda datës 4 prill 2014, listën e kandidatëve që kanë filluar studimet në vitin akademik 2012-2013, të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 876, datë 3.11.2010 “Për disa ndryshime në vendimin nr. 78, datë 8.2.2006 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike”, të ndryshuar. AKP-ja, brenda datës 30 prill 2014, u dërgon institucioneve publike të arsimit të lartë listën përkatëse me numrat e matrikullimit të studentëve.”.

 

Nis testi fizik për Shkollën e Policisë. Vajzat marrin pikët maksimale në gara dhe vrapim të lirë

Mbi 2900 aplikantë për shkollën e policisë nisen fazën e testimit fizik në Tiranë. Edhe pse normat për t’u bërë pjesë e policisë, janë mjaft të vështira, vajzat kanë arritur të marrin pikë maksimale në gara dhe vrapim të lirë. Testimi fizik i kandidatëve që kanë aplikuar për të ndjekur Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme” kanë nisur dje dhe do të zhvillohet deri në datë 8 maj 2014 pranë Stadiumit Kombëtar.

“1. Aplikantët e Qarkut Tiranë në datat 7-18 prill

2. Aplikantët e Qarkut Shkodër në datat 18 prill dhe 21 prill

3. Aplikantët e Qarkut Lezhë në datat 21 dhe 22 prill

4. Aplikantët e Qarkut Kukës në datën 22 prill

5. Aplikantët e Qarkut Korçë në datat 22 dhe 23 prill

6. Aplikantët e Qarkut Gjirokastër në datat 23 dhe 24 prill

7. Aplikantët e Qarkut Fier në datat 24, 25 dhe 28 prill

8. Aplikantët e Qarkut Elbasan në datat 28, 29 dhe 30 prill

9. Aplikantët e Qarkut Durrës në datat 30 prill dhe 2 maj

10. Aplikantët e Qarkut Dibër në datat 2 maj dhe 5 maj

11. Aplikantët e Qarkut Berat në datat 5 dhe 6 maj

12. Aplikantët e Qarkut Vlorë në datat 6, 7 dhe 8 maj” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Për zhvillimin e testimit fizik do të paraqiten të gjithë ato aplikantë, të cilët kanë grumbulluar mbi 50 pikë, bazuar në hyrjen në fuqi të ndryshimeve të Rregullores së Personelit të Policisë së Shtetit. Në total do t’i nënshtrohen testimit fizik 2958 aplikantë.

Ditën e zhvillimit të testimit fizik kandidatët duhet të kenë me vete dokument identifikimi, raportin mjekësor të lëshuar nga mjeku i familjes, fletën e pranimit në testin me shkrim me fotografi dhe të firmosur e vulosur nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, pasi në të kundërt nuk do të pranohen për t’u futur në garat e testimit fizik. Për zhvillimin e testimit fizik kandidatët të paraqiten me veshje sportive, në orën 07:00 të çdo date testimi, para hyrjes kryesore të Stadiumit Kombëtar, pasi do të fillojë regjistrimi i aplikantëve.