Raportimet në Komisionin e Sigurisë për emërimet në polici, ja të graduarit me shkelje ligji!

285

Hysni Burgaj dhe Artan Didi: Drejtorët në Policinë e Shtetit i kemi emëruar pa ndikime partiake!

Akuzat e shumëpërfolura të emërimeve në krye të Policisë së Shtetit, kanë qenë sot pjesë e debateve në Komisionin e Sigurisë së Parlamentit, ku raportuesit kryesorë kanë qenë Artan Didi, kreu aktual i Policisë së Shtetit dhe Hysni Burgaj, ish-kreu i këtij institucioni.

“Agron Kuliçaj dhe shumë oficerë të tjerë nuk e meritonin gradën që kishin marrë në polici”. Deklarata është bërë nga drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi, i cili ka dëshmuar në Komisionin hetimor për lëvizjet në Polici. Dëshmia e tij është dhënë pas asaj të ish-kreut të uniformave blu, Hysni Burgaj. “Agron Kuliçaj dhe shumë oficerë të tjerë në Policinë e Shtetit nuk e meritonin gradën që u ishte dhënë. Gradimi i Muhamet Rrumbullakut u bë para kohe dhe ai nuk e meritonte të merrte këtë gradë”, ka thënë gjatë fjalës së tij, Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Duke folur para deputetëve, kreu i Policisë së Shtetit tha se, ka kërkuar ripranim në uniformat blu në muajin Shtator të vitit 2013. Pas kërkesës ai është ripranuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Didi ka deklaruar se, pas kallëzimit në prokurori nga PD-ja, prokuroria kishte vendosur pezulloi kallëzimin e demokratëve për emërimin e tij në krye të Policisë së Shtetit. Sipas tij, emërimi i 12 drejtorëve të qarqeve ishte bërë kur mora detyrën. Didi ka treguar gjithashtu, edhe për përvojën e tij në punë si dhe gradat që mban. “Për herë të parë nisa punën në tetor të vitit 1991 dhe u lirova në 2006, por marrëdhëniet financiare me policinë i kam ndërprerë në vitin 2009”, -ka thënë ai. Ndërsa ka treguar se, ku ka ikur nga policia në 27 maj të vitit 2009 është larguar me gradën e Kryekomisarit të marrë që nga viti 2004.
DËSHMI NË KOMISION
Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj ka dëshmuar në Komisionin Hetimor për ndryshimet në Polici në lidhje me lëvizje që ka bërë ai gjatë kohës që ka qenë në krye të uniformave blu. Duke folur para deputetëve, Burgaj ka deklaruar se, ka bërë 15 lëvizje në polici dhe këto i ka bërë pa asnjë rekomandim apo ndikime politike. Gjithashtu, ish-kreu i Policisë së Shtetit tha se, edhe dorëheqjen e ka dhënë me vullnetin e tij dhe nuk ja ka kërkuar njeri.
“Nuk kam pasur asnjë mbështetje politike në karrierën time. Jam larguar me dorëheqje dhe këtë e kam bërë për arsye personale dhe nuk më ka kërkuar njeri që të largohesha”. Sipas tij, postin ku është aktualisht në polici e meriton. Burgaj ka folur edhe për ripranimet e oficerëve në polici. “Kam bërë 5 ripranime dhe kemi zgjedhur më të përshtatshmit. Ndërkaq 15 lëvizje kam bërë kur isha në detyrë dhe më pas dhashë dorëheqjen”. I pyetur nga  deputeti i PD-së, Eduard Halimi nëse lëvizjet në polici kanë ndikuar në punën e uniformave blu, Burgaj ka thënë se, ka pasur edhe rezultate edhe jo.
“Vendimmarrja ka qenë tërësisht e imja dhe për këtë mbaj unë përgjegjësi. Ndikimet kanë qenë dhe pozitive dhe negative, por vendimin e lëvizjeve e kam marrë unë vetë pa asnjë lloj ndërhyrjeje”, ka thënë Burgaj para deputetëve të Kuvendit. Ndërkaq, deputeti i PS-së, Paulin Sterkaj ka pyetur Burgajn se, si i ka bërë lëvizjet dhe në cilin ligj është mbështetur për këtë gjë. Duke iu përgjigjur pyetjes Burgaj tha se, kishte zbatuar Ligjin për Policinë e Shtetit. “Kam zbatuar ligjin për Policë e Shtetit. Me ligj emërimet dhe shkarkimet i takojnë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë por konsulta në lidhje me emërimet ka pasur me çdo ministër”, ka deklaruar Burgaj.