Nisi dje gara në degët me konkurs të universiteteve

258

Në mjediset e Universitetit të Arteve në Tiranë po përballen për të parën herë me emocionet skenike, artistët më të rinj shqiptarë. Maturantë nga të gjitha shkollat e mesme të vendit, aspirantë për studentë në degët e Universitetit të Arteve të Tiranës dhe Shkodrës, janë paraqitur mëngjesin e sotëm për të zhvilluar konkursin e pranimit. Ashtu siç është bërë me dije nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës sot në të gjithë vendin kanë nisur konkurimet për degët me konkurs, si Artet, Sportet dhe Arkitektura në universitetet e Tiranës, Shkodrës dhe Durrësit. Të tre fakultetet e Universitetit të Arteve i kanë bërë të ditura më parë kriteret e tyre të konkurimit . Siç janë bërë të ditura dhe më parë, 300 pikë do të jenë maksimalet që një kandidat për student mund të marrë, 20 % të tyre do e përbëjë Matura Shtetërore dhe 80 % vlerësimi nga konkursi.  Konkurrimet në këtë universitet do të zhvillohen prej ditës së sotme 27 gusht deri më 1 shtator.  Siç është bërë e ditur nga MASH, në universitet e tjera konkurrimet do të zhvillohen sipas këtyre datave : Në Universitetin e Sporteve të Tiranës 29-31 gusht 2012; Në Universitetin Politeknik të Tiranës, Arkitekturë 3-5 shtator 2012, Arkitekturë (Urbanist) 3-5 shtator 2012; Në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, Edukim Fizik dhe Sporte 27-29 gusht 2012; Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, Edukim Fizik dhe Sporte 27-29 gusht 2012; Në Universitetin “A. Moisiu”, Durrës, 27-29 gusht 2012. Fituesit në shkollat e larta do të shpallen vetëm pasi të gjithë kandidatët e këtyre degëve të kenë marrë rezultatet e konkurseve dhe të dhënat t’i kenë kaluar Agjencisë Kombëtare të Provimeve.