Skandal, falsifikohen notat e Universitetit Politeknik

691
Sigal

Dekani i Inxhinierisë Mekanike, Andonaq Londo hesht në zbulimin e së vërtetës

 Falsifikohen notat e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin Politeknik, Tiranë. Me gjithë insistimin e gazetës “Telegraf”, për të zbardhur të vërtetën mbi ligjshmërinë e një certifikate notash të një drejtori të komanduar të një shkolle të mesme në Vlorë, Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike prof. Andonaq Londo hesht, duke mos iu përgjigjur kërkesës sonë për transparencë. Edhe pse kemi kërkuar, zyrtarisht, nga dekani Londo një listë notash, me qëllim verifikimin e denoncimit të ardhur në adresë të gazetës, nuk dihet se për çfarë arsye po vonohet përgjigjja nga ana e tij. Pas dërgimit fizik të kërkesës nga ana jonë, e cila u protokollua sipas të gjitha rregullave në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, interesimit me anë të telefonit nga ana e gazetares, dekani Londo iu përgjigj duke i kërkuar kohë deri të enjten, pasi sekretarja ishte me raport, e sëmurë. Erdhi e enjtja (dje), por z. Londo nuk iu përgjigj as telefonatës dhe, as mesazhit telefonik të gazetares sonë. Nuk dihen arsyet e vonesës së përgjigjes zyrtare nga ana e dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, duke mbrojtur në këtë mënyrë një shkelës të ligjit. Mesa duket, dekani nuk është i gatshëm të jetë pjesë e transparencës, por ka zgjedhur të mbulojë drejtues me diploma dhe nota false në arsimin parauniversitar shqiptar. Porse nuk është hera e parë që z. Londo del në mbrojtje të elementeve të tillë. Duhet të kujtojmë këtu mbrojtjen nga ana e dekanit Londo që i bëri diplomës së përfolur si false, të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë, Abdilaqim Ademit, debat i hapur ky, edhe sot e kësaj dite. Gjithsesi, gazeta “Telegraf” është në pritje të reagimit si nga ana e dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, ashtu edhe të Rektorit të Universitetit Politeknik prof. Jorgaq Kaçani. Nëse reagimi nuk vjen në kohën e duhur, atëherë kjo do të tregojë qartazi dhe hapur se, edhe drejtuesit më të lartë të institucioneve të arsimit të lartë publik shqiptar, janë pjesë e fabrikës së diplomave e notave të falsifikuara.