Ditën e djeshme Rektorët e Universiteteve Publike të Shqipërisë kanë zhvilluar një takim ku në qendër ka qënë nevoja për shtimin e ambjenteve. Rektorët e Universiteteve duke vlerësuar zhvillimet e arsimit të lartë në vitet e fundit në drejtim të masivizimit dhe rritjes së cilësisë së tij dhe duke marrë shkas nga vendimi i fundit i Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës, në lidhje me plotësimin e kërkesës për kalimin në përdorim të godinës të Konviktit të Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja, deklarojnë si më poshtë:
1.Mbështetje për vendimin e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës në lidhje me kërkesën e tij për marrjen në përdorim të këtij objekti nga Universiteti i Tiranës, duke vlerësuar se zgjerimi i kapaciteteve infrastrukturore për universitetet publike është një domosdoshmëri dhe njëkohësisht detyrim i autoriteteve shtetërore në ndihmë të përmirësimit të kushteve për universitetet publike.
2.Mbështetjen e politikave të ndjekura për masivizimin dhe rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, duke kërkuar njëkohësisht vëmendje më të madhe në drejtim të realizimit të nevojave urgjente që kanë universitetet publike për ambjente mësimore.
3.Angazhimin e tyre dhe të gjithë personelit akademik, stafit administrativ dhe studentëve, për të rritur cilësinë e mësimdhënies në universitetet publike me qëllim përgatitjen e brezave të studentëve të aftë për t’ju përgjigjur kërkesave të rritura të kohës, në kuadrin e integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike e në veçanti në ato të Bashkimit Europian.
Rektorët e pranishëm në takim
Prof. Dhori Kule, Rektor i “UT” | Akad. Jorgaq Kaçani, Rektor i “UPT” |
Prof. Fatos Harizaj, Rektor i “UBT” | Prof. Petrit Malaj, Rektor i “UA” |
Prof. Artan Haxhi, Rektor i Univ. “L. Gurakuqi” | Prof. Liman Varoshi, Rektor i Univ. “A. Xhuvani” |
Prof. Gjergji Mero, Rektor i Univ. “F.S. Noli” | Prof. Albert Qarri, Rektor i Univ. “I. Qemali” |
Prof. Mithat Mema, Rektor i Univ. “A. Moisiu” | Prof. Gëzim Sala, Rektor i Univ. “E. Çabej” |
Prof. Vesel Rizvanolli, Rektor i “Univ. të Sporteve” |