Rektorati i grabit 6 miliardë lekë studentëve të mjekësisë, brenda një viti akademik

782
Sigal

Studentët e Universitetit të Mjekësisë Tiranë paguajnë 2 tarifa shkollimi në një vit akademik

Studentëve të Universitetit të Mjekësisë u grabiten, në ditën me diell, rreth 6 miliardë lekë nga tarifat vjetore të shkollimit. Rreth 6 mijë studentëve të Universitetit të Mjekësisë u është kërkuar të paguajnë tarifën e shkollimit, edhe pse kjo tarifë paguhet në Janar, para fillimit të sezonit të provimeve. Ndërsa për vitet e dyta e lart, kjo tarifë i kërkohet 2 herë brenda një viti akademik. Shkak për këtë situatë është bërë një urdhër i lëshuar nga rektorja e Universitetit të Mjekësisë së Tiranës, Jera Kruja. Shkresa e këtij vendimi është dërguar në të pestë fakultetet e këtij universiteti, ku kërkohet që brenda datës 31 tetor të bëhet mbledhja e tarifës së shkollimit për të gjithë studentët, duke rënduar kështu në xhepat e studentëve dhe të familjeve të tyre. Me këtë urdhër, Rektorja Kruja ka shkelur haptazi ligjin, duke grabitur në ditën me diell, djersën e shqiptarëve “të varfër”, të cilët duan të shkollojnë fëmijët e tyre në arsimin e lartë publik. Kjo shkelje është thirrje për KLSH-në, për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, si dhe për drejtësinë shqiptare. Qytetarët shqiptarë nuk duhet të ndihen të frustruar, pikërisht, në të drejtën themelore të tyre, atë të arsimimit. Vetë studentët shprehen se e kanë të pamundur të paguajnë një shumë kaq të madhe parash, në mënyrë të menjëhershme. Për ta, është e padrejtë të paguajnë 2 herë në të njëjtin vit akademik, pasi, sipas tyre, kjo është një vjedhje në ditën me diell, që u bëhet studentëve të Universitetit të Mjekësisë.

Tarifa e shkollës

Si rregull, tarifa vjetore e shkollimit në çdo vit akademik nuk është paguar paralelisht me procesin e regjistrimit, por është paguar kryesisht në muajin janar, pasi studentët kishin hyrë në auditorë. Por, burime pranë gazetës thanë se kjo kërkesë është shtuar këtë vit, për shkak se arka e universitetit është bosh, aq sa nuk ka buxhet, as për të shlyer pagat e pedagogëve.

Situata në Fakultetin e Mjekësisë

Paratë e Universitetit të Mjekësisë janë shpenzuar pa kriter dhe pa adresë, nga ana e Rektoratit të këtij universiteti. Nisur nga kjo situatë, Universiteti i Mjekësisë ka urdhëruar parapagimin e tarifës vjetore për të mbushur buxhetin e universitetit. Tarifat e shkollimit, që përbëjnë të ardhurat dytësore të fakulteteve, paguhen çdo vit në janar dhe nga viti i dytë deri në vitin e gjashtë për Fakultetin e Mjekësisë studentët i kanë paguar, ndërsa urdhri i Rektores Jera Kruja, i detyron këta studentë që ta paguajnë këtë tarifë brenda vitit, pra, të paguajnë 2 tarifa shkollimi brenda vitit akademik, gjë që i ngarkon studentët dhe specializantët, si dhe familjet e tyre me një tarifë të pajustifikuar. Kjo është një ngarkesë financiare që nuk justifikohet, sepse duhet pritur janari që ata të paguajnë tarifën vjetore të shkollimit, ashtu siç bëhet çdo vit.

Këshilli i Administrimit

Në Ligjin për Arsimin e Lartë, Neni 16 për Këshillin e Administrimit në pikën 4 dhe 5, thuhet se “Këshilli i administrimit përbëhet nga: a) anëtarë të personelit akademik, së paku me gradë shkencore, të zgjedhur drejtpërdrejt nga personeli akademik i çdo njësie kryesore të institucionit; b) anëtarë të caktuar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, përfaqësues nga fushat e shkencës, ekonomisë, kulturës, autoritete të pushtetit qendror dhe vendor; c) një anëtar, përfaqësues i zgjedhur nga këshilli i studentëve të institucionit. 5. Anëtarët, sipas shkronjës “b” të pikës 4 të këtij neni, caktohen dhe shkarkohen nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës”. Kjo strukturë e Universitetit të Mjekësisë Tiranë është një strukturë fantazmë, në kundërshtim me ligjin e lartëcituar, pasi anëtarët e saj nuk e plotësojnë kushtin e gradave shkencore. Këshilli i administrimit është një strukturë politike e qeverisë “Berisha”, e përbërë nga këshilltari i ish Kryeministrit Berisha, ish zv/Ministri i Financave, njerëz të besuar të ish Ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, pra nga njerëz të politizuar. Dhe për më tepër, sipas burimeve të besuara, këta njerëz kanë ndërhyrë deri në dhënien e fondeve buxhetore duke ia pakësuar Fakultetit të Mjekësisë dhe duke i kaluar për interesa të pagesës të militantëve të qeverisë së mëparshme dhe të universitetit të ri, që është një strukturë politike.

Dështimi i Universitetit të Mjekësisë

Ky universitet ka dështuar, se duke përdorur të ardhurat e studentëve për pagat e punonjësve ai ka ndryshuar destinacionin e këtij universiteti. Pagesat e shkollimit janë për studentët, për t’u siguruar infrastrukturën, për t’i siguruar reagentët për laboratore, për të siguruar ngrohjen e tyre për dimër, për të siguruar videoprojektorë, komjutera, për të zhvilluar mësimin në kushte normale, për të bërë një sektor eksperimental që i mungon Fakultetit të Mjekësisë prej dekadash. Në këto kushte, të  marrësh këto të ardhura dhe t’i kalosh për paga, ndërkohë që në muajin janar të këtij viti ka qenë i planifikuar i gjithë fondi vjetor i pagave të punonjësve të Fakultetit të Mjekësisë, është papërgjegjshmëri. Kjo dëmton interesat e studentëve të cilët tashmë kanë reaguar se nuk mund të paguajnë brenda vitit, 2 tarifa shkollimi. Ata ndihen nën presion nga ky detyrim që u bëhet, madje të thonë se ndihen të frikësuar se mos humbasin të drejtën e studimit.

Presioni ndaj administratës së Fakultetit të Mjekësisë

Siç bëhet e ditur, nga burime të besueshme Rektorja Jera Kruja i ka thirrur punonjësit e administratës së Fakultetit të Mjekësisë duke u ushtruar presion se “nëse nuk do të mbledhin tarifat e shkollimit, do t’i lëvizin nga vendi i punës; ose do t’i pushojnë, ose do t’i çojnë në fakultete të tjera”. Ky presion është prezent çdo ditë te punonjësit e administratës, të cilët janë të stresuar dhe punojnë nën terror psikologjik.

Drejtësia

Fakulteti i Mjekësisë dhe i Infermierisë janë në gjyq me Rektoratin dhe Këshillin Administrativ të Universitetit të Mjekësisë, por ky gjyq është pushuar nga gjykatësja Capo, edhe për shkak të ndërhyrjeve nga persona, që nuk janë të interesuar që kjo çështje të shkojë drejt zgjidhjes. Me sa duket, Drejtësia Shqiptare po kalon krizën më të thellë të besimit.

 Ligji për arsimin e lartë

Neni 16/Këshilli i administrimit

1. Në institucionet e arsimit të lartë ngrihen dhe funksionojnë këshillat e administrimit. Këshilli i administrimit është organ kolegjial vendimmarrës, që mbikëqyr e kontrollon veprimtaritë e institucionit të arsimit të lartë, që lidhen me menaxhimin administrativ, financiar, ekonomik dhe të pronave të tij.

2. Funksionet kryesore të këshillit të administrimit janë:

a) miraton kriteret për ndarjen e burimeve financiare;

b) miraton, me kërkesën e senatit akademik, projektbuxhetin e institucionit me dy të tretat e votave;

c) vlerëson efikasitetin e përdorimit të fondeve nga Buxheti i Shtetit ose burime të tjera të ligjshme dhe publikon rezultatet e vlerësimit;

ç) miraton strukturën dhe numrin e personelit të institucionit për të gjitha nivelet;

d) miraton raportin vjetor financiar të paraqitur nga rektorati;

dh) vlerëson planin e zhvillimit të institucionit e programin vjetor të veprimtarive të tij;

e) miraton rregulloren e brendshme për administrimin, financat dhe kontabilitetin;

ë) miraton rregulloren e funksionimit të tij.

3. Rektori dhe kancelari i institucionit kanë të drejtë të marrin pjesë në mbledhjet e këshillit të administrimit, pa të drejtë vote, kur e vlerësojnë ata vetë, si dhe kur thirren nga ky këshill.

4. Këshilli i administrimit përbëhet nga:

a) anëtarë të personelit akademik, së paku me gradë shkencore, të zgjedhur drejtpërdrejt nga personeli akademik i çdo njësie kryesore të institucionit;

b) anëtarë të caktuar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, përfaqësues nga fushat e shkencës, ekonomisë, kulturës, autoritete të pushtetit qendror dhe vendor;

c) një anëtar, përfaqësues i zgjedhur nga këshilli i studentëve të institucionit.

5. Anëtarët, sipas shkronjës “b” të pikës 4 të këtij neni, caktohen dhe shkarkohen nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës. Numri i anëtarëve të caktuar është një më pak se gjysma e numrit të anëtarëve të këshillit të administrimit. Këshilli i administrimit zgjedh kryetarin, prej anëtarëve të brendshëm të tij, me dy të tretat e votave të të gjithë anëtarëve.

6. Anëtarësia në këshillin e administrimit është e papajtueshme me detyrën e anëtarit të senatit akademik, të zëvendësrektorëve, të dekanëve/drejtorëve dhe të zëvendësdekanëve/zëvendësdrejtorëve.

7. Në statutin e institucionit publik të arsimit të lartë, në përputhje me këtë ligj,përcaktohen të drejta dhe detyra të tjera të këshillit të administrimit, numri, përbërja, mandati, mënyra e zgjedhjes së anëtarëve, sipas shkronjës “a” të pikës 4 të këtij neni, si dhe funksionimi i këshillit.