Kalaja e Peqinit rrezikon të shembet nga rrëshqitjet

631
Sigal

Në pritje të restaurimit, disa prej monumenteve të kulturës që mbulohen nga Drejtoria Rajonale e Monumenteve në Qarkun e Elbasanit, po rrezikohen dita-ditës. E tillë është kalaja e Peqinit (ish-qyteti ilir Klaudiana). Specialistët kërkojnë të tjera fonde nga Ministria e Kulturës për të zbritur në terren. Çdo vonesë në ndërhyrje është kërcënim i vazhdueshëm për monumentet, dëshmi e së kaluarës. Ndërkohë që Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Durrës, nga e cila çuditërisht varet kjo kala, qëndron në pritje të akordimit të fondeve nga MTKRS-ja, lagështira ka vijuar të dëmtojë një nga pjesët e mozaikut të vetëm mural që është zbuluar në vendin tonë dhe kalaja e Peqinit ka pësuar shembje në pjesën veriore të saj, për shkak të rrëshqitjeve të dheut. Organikat e reduktuara e kanë lënë pa një kujdestar kalanë e Peqinit, ndërsa mbikëqyrja e saj bëhet nga kontrollet e herëpashershme të personelit të ateliesë së monumenteve rajonale të Durrësit. Për këtë vit, nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Durrës janë kërkuar fonde për t’u investuar në restaurimin dhe konservimin e disa prej monumenteve që kërkojnë ndërhyrje të shpejtë. Mes tyre janë restaurimi dhe konservimi në amfiteatër, përfshirë mozaikun mural, restaurimi i kalasë së Peqinit, ai i Bazilikës së Arapajt, restaurimi i mozaikut pranë Depos së Ujit, restaurimi i Depos së Kripës, bazilikës paleokristiane të Gjuricajt në Ishëm dhe vazhdimi i punimeve restauruese në kalanë e Durrësit. Burimet nga DRM, shprehen se investimet do të bëhen të mundura me fondet që do të akordohen nga Ministria e Kulturës. Një grup inspektimi, në përbërje të të cilit janë emra të njohur të historisë shqiptare, po bëjnë evidentimin e gjendjes për të përcaktuar më pas edhe nevojat më emergjente për ndërhyrje. Reshjet e shumta të shiut kanë dëmtuar ndër vite një pjesë të madhe të mozaikut mural që u zbulua në kapelën e amfiteatrit antik në fund të viteve ‘60. Pjesa ballore e mozaikut mural të kapelës është dëmtuar plotësisht. Dy dekada më parë pamja e saj ishte më e qartë dhe në të mund të dalloje pjesë të figurave shenjtore. Tashmë në të ka zënë vend ngjyra e mykut, ndërsa qytetarët besimtarë kanë nisur ta kthejnë kapelën në një vend lutjesh. Ndezin qirinj dhe i luten  Shën -Sofisë për begati e mirëqenie në jetët e tyre. Sipas studiuesve, themelet e kalasë së Peqinit mendohet se i përkasin periudhës romake, në kohën e ndërtimit të rrugës “Egnatia”, ndërsa më pas ajo është rikonstruktuar edhe gjatë pushtimit otoman. Muret e kalasë, që mban edhe emrin e vendbanimit ilir, Klaudianës, kanë pasur një lartësi prej afro 12 metrash. Kalaja është zgjeruar në shekullin XIV nga pushtuesit turq. Sipas historisë, turqit ia dhanë më pas kalanë spahiut të kazasë, i cili ndërtoi aty një saraj dykatësh, madje dhe një harem. Monumenti, që u përdor si objekt sigurie dhe mbrojtjeje në kohë luftërash, sot pret ndërhyrjen për të shmangur shembjet e tjera në të, si pasojë e erozionit.

Projektet që nuk u zbatuan asnjëherë  

Kalaja e Peqinit së fundmi është dëmtuar nga erozioni dhe pret ndërhyrjen për restaurim. Një vit më parë u ndërhy në një pjesë të mirë të këtij monumenti, por së fundmi në të ka shembje, për shkak të shirave. Shembja ka ndodhur në pjesën veriore të kalasë dhe për këtë është vënë në dijeni edhe Instituti i Monumenteve të Kulturës. Bashkia e Peqinit, ndërkohë e ka vendosur kalanë ndër prioritetet e saj, për ta kthyer në një qendër tërheqëse për qytetarët dhe vizitorët e këtij qyteti. Ndërtimi i një lulishteje dhe ndriçimi synon të gjallërojë vlerat e monumentit te publiku, duke e bërë më të vizitueshëm. Neglizhenca për rikonstruksion justifikohet me shkurtimet në stafin e punonjësve të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve. Barërat e këqija, dera e prishur dhe gjithçka e lënë pas dore.