Pse kjo “lajthitje” e MAS?

701
Sigal

Ndryshohen udhëzimet për kualifikimin dhe zhvillimin profesional të mësuesve. Nga 6 kredite bëhet 1 kredit për vit kalendarik

Mesa duket Ministria e Arsimit dhe e Sportit është “shkundur” nga përgjumja që e kishte kapluar, pas shkrimit në “Telegraf” përsa i përket kritereve të pranimit të mësuesve për kualifikim, e specifikisht të numrit të krediteve që duhet të plotësojnë mësuesit për një vit kalendarik. Menjëherë MAS, ka korrigjuar gabimet e bëra në udhëzimet: Udhëzimi nr.2, dt.12.02.2015 “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve”; si dhe Udhëzimi nr.26, dt. 15.08.2014 “Për zhvillimin profesional të punonjësve arsimorë”.

 Ulet numri i krediteve për një vit akademik, nga 6 në 1

Në 2 udhëzimet e sipërpërmendura (si në udhëzimin e datës 15 gusht të vitit 2014 ashtu dhe në atë të datës 12 shkurt 2015), MAS “kishte vendosur” që mësuesit duhet të kishin 6 kredite në vit, nëse duan të jenë pjesë e armatës së mësuesve, apo dhe për të përfituar një kategori më të lartë kualifikimi. E gjithë kjo solli një pështjellim në mes të mësuesve të cilët nuk po kuptonin se çfarë po ndodhte, duke rendur për të paguar kreditet që kërkonte MAS për një vit kalendarik. Dhe, me patjetër, që tregtarët e krediteve, të kënaqur nga kjo “lajthitje” apo “përgjumje” e MAS, arritën të vilnin paratë e këtij pazari kaq fitimprurës.

 Pse të “lajthisë” MAS?

Ky ndryshim i krediteve jo me pak, por me 5 të tilla, a ka të bëjë me një “lajthitje” me dashje apo pa dashje të MAS. Nëse do të aludonim për një lajthitje me dashje, atëherë MAS, me pak fjalë, ka dashur që klane të caktuara të përfitonin nga kjo situatë për të përfituar nga ana financiare, por e gjithë kjo në kurriz të mësuesve. Nëse do të thonim se e gjithë kjo ka të bëjë me një lapsus (me 5 kredite?!) atëherë do të aludonim për një paaftësi të theksuar e tejskajshme të administratës së MAS, por që i kushtoi shumë stres dhe para mësuesve tanë. Cilën nga këto të dyja të besojmë dhe të marrim si të mirëqenë? Faktin që MAS është pjesë e tregut të krediteve dhe bën favore klienteliste? Apo që MAS është aq e paaftë (paftësi kjo që përkthehet në kosto financiare dhe mendore te mësuesit), sa duhet të jemi skeptikë për udhëzimet dhe urdhrat e mëpasmë, aq sa duhet t’u vemë lupën dhe të presim për ndryshime drastike siç edhe ndodhi në këtë rast? Për të mos shkuar më tej, ia lemë MAS-it t’u përgjigjet këtyre pyetjeve.

 Ndryshimet e udhëzimeve

I. Në udhëzimin nr.4, datë 19.02.2015 (por e publikuar vetëm dje në faqen zyrtare të MAS) bëhet ky ndryshim në Udhëzimin nr.2, dt.12.02.2015 “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve”:

– Pika 3 e nenit 2

Ishte

3) Duke filluar nga viti 2014-2015 e në vazhdim, mësuesit që plotësojnë kriteret e pikës 2, kanë të drejtë të aplikojnë për të fituar kategorinë e kualifikimit, nëse kanë kryer të paktën 3 ditë trajnimi në vit kalendarik, të cilat janë të barasvlershme me 18 orë trajnimi të pasqyruara me 6 (gjashtë) kredite.

Bëhet:

3) Duke filluar nga viti 2014-2015 e në vazhdim, mësuesit që plotësojnë kriteret e pikës 2, kanë të drejtë të aplikojnë për të fituar kategorinë e kualifikimit, nëse kanë kryer të paktën 3 ditë trajnimi në vit kalendarik, të cilat janë të barasvlershme me 18 orë trajnimi të pasqyruara me 1 (një) kredit.

II. Në udhëzimin nr.3, datë 19.02.2015 (por e publikuar vetëm dje në faqen zyrtare të MAS) bëhet ky ndryshim në Udhëzimin nr.26, dt. 15.08.2014 “Për zhvillimin profesional të punonjësve arsimorë”:

-Pika 2 e nenit 6

Ishte:

2. Një ditë trajnimi pasqyrohet me 2 kredite në certifikatën e të trajnuarit.

Bëhet:

‘Tre ditë trajnimi përmbajnë 18 orë dhe pasqyrojnë 1 kredit”.

Pika 3 e nenit 6

Ishte:

3. Një punonjës arsimor duhet të fitojë të paktën 6 kredite gjatë një viti shkollor.

Bëhet:

“Një punonjës mësimor duhet të realizojë së paku tre ditë trajnimi në vit”.