Prof. Liman Varoshi: Universiteti, vendi ku gjejnë terren kërkimi shkencor, por dhe pedagogë të korruptuar

728
Sigal

Intervista me Rektorin e Universitetit Elbasan Prof. Liman Varoshi

 Në një intervistë për “Telegraf” Profesor Liman Varoshi, Rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, ka renditur disa prej arritjeve, problemeve dhe sfidave me të cilat është përballur ai dhe stafi i pedagogëve gjatë vitit shkollor 2013-2014. Varoshi ka deklaruar se “Universiteti i Elbasanit do të kthehet në bazë të kërkimeve shkencore, por njëherësh ai nuk do të ketë vend për asnjë pedagog të korruptuar, ç’ka do të thotë se kushdo që kapet dhe denoncohet, ka punë me ligjin, dhe jo me auditoret tona”.

  Tashmë,  ky  vit akademik është drejt mbylljes. Si mund ta konsideroni atë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit?

Universiteti ynë është një ndër më të rëndësishmit në mbarë hapësirën shqipfolëse dhe si i tillë, ne jemi përpjekur të forcojmë akoma më shumë elementë të domosdoshëm të arsimit të lartë, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë tek cilësia. Nisur nga ky këndvështrim unë do ta cilësoja këtë vit akademik si të rëndësishëm. E them këtë, pasi në kuadër të rritjes së cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, këtë vit kemi pasur një kapërcim cilësor dhe sasior përsa i përket numrit të personelit akademik të kualifikuar. Tashmë, të gjitha departamentet e Universitetit tonë, kanë në përbërje të tyre në minimum, një ose dy pedagogë me titujt Profesor ose Profesor i Asociuar, ndërkohë që titujt Doktor i Shkencave janë marrë nga një pjesë e madhe e stafit tonë. Njëherësh përmirësime të dukshme madje cilësore janë vërejtur edhe në infrastrukturën e procesit mësimor-kërkimor. Përmendim këtu vënien në funksion të plotë të bibliotekës universitare, e cila ndër të tjera ofron tashmë për të gjithë pedagogët dhe studentët edhe lidhjen on-line, me bibliotekën e Universitetit të Oxford-it. Një akses i tillë i dha impulse konkrete përfshirjes së pedagogëve në procesin kërkimor, gjë që ndikoi jo vetëm në rritjen e cilësisë së procesit mësimor, por edhe në rritjen e produktit intelektual të stafit tonë. Unë e them tashmë me bindje se Universiteti i Elbasanit jo vetëm për shkak të traditës së tij, por tashmë edhe mbi bazë të realitetit të prekshëm dhe projektimit objektiv të së ardhmes, do të ketë një të ardhme të sigurtë, si një ndër universitetit më të mira në Shqipëri dhe më gjerë. Po kështu jemi përpjekur që nivelin e cilësisë ta tejçojmë edhe tek studentët tanë. Jam i kënaqur që në gjirin e Universitetit tonë, studentët e ekselencës sa vijnë dhe rriten në numër, duke na bërë edhe ne krenarë për rezultatet që ata kanë arritur.

 A ka pasur të reja ky vit akademik dhe si është gjendur Universiteti juaj, përballë diskutimeve për reformën në arsimin e lartë në vend ?

Tashmë hapja dhe zgjerimi i shumë programeve të studimit në Universitetin tonë, bazuar mbi një analizë të hollësishme dhe të argumentuar, besoj se nuk përbën risi, pasi është një proces hapjeje dhe zgjerimi që vazhdon prej vitesh. Unë e theksova edhe më lart që misioni ynë kryesor mbetet rritja e cilësisë.  Në këtë kuadër duke përkrahur fort këtë parim ne jemi bërë pjesë mjaft aktive e diskutimeve të zhvilluara gjatë këtij viti akademik në lidhje me një draft propozim që i ka paraprirë miratimit të një ligji të ri për arsimin e lartë në Shqipëri. Jemi përpjekur që duke diskutuar dhe hedhur idetë tona në lidhje me këtë draft, të jemi sa më objektivë, sa më racionalë,  duke mos paragjykuar një iniciativë të tillë, por përkundrazi, duke përkrahur domosdoshmërinë e ndërhyrjes në disa elementë që do të bënin të mundur rritjen e nivelit të arsimit të lartë në vend. Universiteti i Elbasanit me kënaqësi e them se ka kontribuar jo pak me propozimet e anëtarëve të stafit të tij akademik, në rishikimin e një sërë problematikash të trajtuara në draftin fillestar të këtij draftprojekti, kontribut i cili u njoh dhe u vlerësua edhe nga grupi i punës i ngritur për këtë qëllim. Pikërisht në draftin e përmirësuar, janë reflektuar disa nga këto kontribute, veçanërisht ato që i takojnë fushës së mësuesisë. Tashmë nuk na mbetet veçse të presim kthimin e këtij drafti në ligj dhe të vazhdojmë punën tonë, nën frymën e një impenjimi më të madh për përmirësimin e arsimit të lartë në vend.

 Fenomenet korruptive vazhdojnë të mbeten në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe kjo në fakt e  iniciuar edhe nga qeveria e re, e cila edhe vitin që vjen e ka konsideruar si vitin kundër korrupsionit. Çc’mund të thoni në këtë drejtim për Universitetin “Aleksandër Xhuvani”?

Në fakt kjo është një temë e shumëtrajtuar edhe në intervista të tjera që ne kemi bërë bashkë, por edhe me mediat homologe. E kuptoj se kjo është një çështje e prekshme për çdo qytetar, pasi Universiteti i prek  të gjithë. Unë do të doja që gjithsesi të gjithë bashkë të kuptojmë se korrupsioni apo elementët korruptivë nuk luftohen vetëm duke folur, por me reforma dhe nisma konkrete. Këtë gjë jemi përpjekur të bëjmë edhe ne. Në këtë kuadër ashtu siç e kam thënë edhe më parë, një ndër elementët me të cilën luftohet ky fenomen është transparenca. Ne kemi vendosur aplikimin e një sistemi të vlerësimit që është transparent, ku pedagogu është i detyruar t’i përgjigjet studentit menjëherë në lidhje me ankesat që ai mund të ketë për vlerësimin në provim. Në funksion të objektivitetit në vlerësimin e studentit, ka vite që është implementuar vlerësimi i vazhdueshëm. Në këtë kontekst në vlerësimin e studentit përfshihen disa elementë, të cilët në një formë apo tjetër mundësojnë një vlerësim më objektiv të tij, sepse marrëdhënia student- pedagog, nuk është vetëm në provimin përfundimtar, por ajo vijon gjatë gjithë vitit  akademik, pra gjatë gjithë kohës së shtrirjes së disiplinës përkatëse. Gjithë strukturat drejtuese të Universitetit kanë urdhër që të presim dhe të trajtojnë me shpejtësi, çdo ankesë që vjen nga ana e studentëve dhe mund t’ju them se unë vetë kam qenë i hapur për të pritur edhe në zyrën time çdo student që ka dashur të trajtojë një problem të caktuar. Absolutisht, unë nuk them se Universiteti ynë është imun, ndaj fenomeneve korruptive, por ajo që mund të them është se përpjekja jonë për t’i luftuar ato dhe predispozicioni ynë për të bashkëpunuar edhe me organet e zbatimit të ligjit, në rast të dyshimeve apo hetime për vepra të tilla, ka qenë dhe do të jetë maksimale.

 Çfarë të rejash pritet të sjellë viti i ri akademik?

Në fakt për hir të së vërtetës nuk është se për vitin që vjen ne mund të themi që kemi të reja të mëdha, apo ndryshime të mëdha në institucionin tonë. Ajo që mund të përbëjë risi, është përpjekja jonë në çdo vit në drejtim të rritjes së cilësisë së institucionit tonë në drejtim të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Siç e thashë në fillim ky është një proces që vazhdon nga viti në vit me këmbëngulje dhe personalisht jam i vendosur të punoj me përkushtim dhe vendosmëri në këtë drejtim deri në fund të mandatit tim. Jam i bindur se duke këmbëngulur dhe punuar fort në këtë drejtim ne do t’i bëjmë shërbimin më të madh të tashmes dhe të ardhmes së Universiteti tonë, por edhe qytetit të Elbasanit, i cili tek Universiteti shikon të formësuar një pjesë të rëndësishme të identitetit të tij. Pra, ne mirëpresim, çdo vlerësim të mundshëm që mund të bëjnë Agjencitë e Akredimit vendase apo të huaja.