Përparim Halili/ Protestat po i bëjnë “valinjtë” e bashkive dhe komunave

386
Sigal

Një “aktrim” protestash, ka nisur të jap “shfaqje” në disa komuna e bashki të vendit, duke u prezantuar mediatikisht përpara qeverisë, si “reagim popullor”. Ky reagim, ndodhi pikërisht pas shkrirjes së tyre si njësi vendore të 312 bashkive e komunave, sipas hartës së re të qeverisjes lokale në hapësirën administrative territoriale të vendit. Në vlerësimin tim si gazetar e qytetar, madje si njohës në detaje i afro 90% të përbërjes së numrit të popullsisë aktuale të njësive vendore që shkrihen e bashkohen dhe, si njohës i veprimtarisë konkrete të shumë bashkive e komunave të tilla, kjo reformë duhej bërë shumë kohë më parë, për të mos paguar kot 312 “kulla” komunash e bashkish, që gëlltitnin mbi 60 milionë euro shpenzime në vit! Një shumë e madhe financiare kjo, që paguhej për një administratë e cila në shumë prej tyre, mbante vetëm inventarin e banorëve, disa prej të cilave edhe me 200 banorë të mbetur në fshat e me 1000 banorë të mbetur në qytet!

Nuk jam ekspert i vlerësimit të hartës së re administrative, por kam konstatuar një fakt: Afro 75% bashkive e komunave që janë shkrirë, ekzistonin formalisht vetëm si zyra, si administratë, si fonde pagash, shpenzimesh administrative, si fonde investimesh qeverie të stërpërsëritura, të gjitha të tjetërsuara vetëm në “KRYETAR”. Po të bësh një vështrim mbi jetesën e banorëve dhe mbi territorin e këtyre njësive vendore, konstaton se prej 20 vjetësh në këto zona nuk janë përmbushur as 10-20% e kërkesave, kushteve dhe nevojave jetike të komunitetit. Nuk është bërë asnjë projekt zhvillimi as afat shkurtër, as afatmesëm e afatgjatë për zonat, as në letra formale. Ndërsa vulat, që mbaheshin në xhepat e kostumeve prej SHEIK-ësh të kryetarëve, funksiononin për tendera fiktivë e abuzivë rrugësh, ujësjellësësh, shkollash, ambulancash, për shitje trojesh, për ndarje tokash, për leje ndërtimi, për shpërblime, për ekskursione turistike jashtë vendit, për dieta udhëtimi për kryetaret e sekretaret, për blerje makinash e mobilime luksoze të zyrave, për mëngjese, dreka, darka e mesnata pune. Vetëm punë, nuk bëheshin, ose bëheshin “thërrime” e në shumë raste jashtë funksionit e jetgjatësisë së investimit. Madje prej këtyre njësive në komuna sidomos, nuk mblidheshin as aq taksa vendore, sa për të blerë letër, lapsa, fshesa, lecka e legena pastrimi! Duhet pranuar fakti, që më përjashtim të disa rasteve, në krejt zonat ku u suprimuan njësitë vendore, nuk kemi patur qeverisje efiçente, madje as formale, por vetëm bashki e komuna “kryetarë”, vetëm “valinjë” në krye të këtyre “vilajeteve” të përbërë nga fshatra e qytete të mjeruar e të braktisur nga banorët. Në shërbim të tyre, me përunje prej shërbëtorësh të bindur e të heshtur është paguar e vazhdon të paguhet nga shteti, një “ushtri” e tërë “oborrtarësh” të përzgjedhur nga “valinjtë” e bashkive dhe komunave, numri i të cilëve shkon në 312 “zvendës-valinjë” (nënkryetarë), 312 sekretare të “valinjëve”, mbi 4500 nëpunës zyrash, 312 kryetarë të këshillave bashkiak e komunar, 312 sekretarë të këshillave, 6500 këshilltarë, 312 shoferë të “valinjëve”, 312 buodigardë të “valinjëve, 312 roje të portave së zyrave dhe mbi 1000 policë privatë të paguar nga pushteti vendor. Të gjithë këta, kushtonin mbi 60 milionë euro në vit. Pikërisht këta “valinjë” janë ngritur në protesta, pas rënies së “vilajeteve” të tyre. E përse? Mendoj, se këtu qëndron “sekreti” i protestave që po bëhen me nxitje e inskenim të “valinjëve” të bashkive e komunave, duke i reklamuar si “shqetësim popullor”. Në fakt, këto protesta që po bëhen në Ishëm, Kërrabë, në disa komuna të Shkodrës, Peshkopisë, Gjirokastrës, në Farkë, Rubik, Orikum, Kashar, Shëngjin, Bradashesh apo në ndonjë “vilajet” tjetër, nuk po bëhen nga populli, por nga “valinjtë” e bashkive dhe komunave, të cilët nxjerrin në protestë me parulla kërcënuese kartoni “oborrtarët” e zyrave, familjarët, punonjësit e tenderxhinjve të tyre klientelistë dhe i paraqesin në media si “protestë popullore”. Banorët në emër të të cilëve flitet, janë të bindur që këtë “sulm” anti-reformë territoriale, “valinjtë” e komunave e bashkive të shkrira, nuk e bëjnë për “hallet e popullit” siç ulërijnë, por e bëjnë në emër të sundimit të tyre, përzier ky qëndrim edhe me nxitje të qëllimëshme politike prej opozitës.

“Valinjtë” e këtyre “vilajeteve”, që me hartën e re nuk do të jenë më njësi vendore më vete, kanë të drejtë të hidhen në sulm, mbasi kanë nga 10-15 e madje edhe 20 vite që sundojnë në krye të tyre dhe pasurohen prej tyre. Kujtojmë, që në zgjedhjet e 8 majit 2011, nga të dy krahët politikë, kandiduan 92% e kryetarëve dhe 85% e këshilltarëve ekzistues. Afro 80% e kryetarëve dhe 75% e këshilltarëve, rifituan mandadin e tretë e të katërt. Edhe në ish-pushtetin e sundimit turk, valinjtë, mytesarifët dhe bimbashët e qyteteve, lejoheshin vetëm 5 vjet në pushtet. Ndërsa 100 vjetë pas atij sundimi, ka sundim të përjetshëm të kryetarëve të komunave e bashkive. Në Shkodër, 2 “valinjë” komunash kanë nga 22 vjet në kolltuk. Në Korçë, 1 “bimbash” bashkie dhe 4 “valinjë” komunash kanë nga 15-18 vjet në pushtet. Po kështu në Fier, Vlorë, Berat, Lezhë, Dibër, Burrel, Gjirokastër, Elbasan, Durrës kemi kryetarë që janë bërë të përjetshëm si “princër” principtash. Një fakt: Në 207 nga këto që shkrihen, kryetarët kanë nga 10-13 vjet në kolltuqe. Afro 60% e këtyre “valinjëve” e kanë nisur kryetarllëkun me biçikletë, me abone autobuzi në xhep, me kostume të blerë tek “gabi” e me listë borxhesh ushqimore tek dyqani i fshatit e qytetit. Pas kaq vitesh kryetarë komune e bashkie, rezultojnë me vila, biznese, fëmijë me stumie jashtë shtetit, me pushime të bëra jashtë shtetit, me pasuri e llogari të shumta e të majme bankare, me kostume që kushtojnë sa 40 pensione mujore fshati! A mund të pranojnë ata, t’u hiqet pushteti?! Ndaj po dalin e ulërijnë në dëshpërim të plotë, që të mos u shkrihen “fronet” dhe “principatat” e tyre, që të vazhdojnë të sundojnë. Nuk kanë asnjë merak për banorët, përkundrazi ashtu si deri sot, nuk “digjet barku” për ta!