Kryetari i SHIK-ut të Gazidedes, emërohet në krye të arsimit

605
Sigal

Sindikata e Arsimit e rrethit Librazhd, apel Ministres Nikolla

Sindikata e Arsimit në rrethin e Librazhdit, denoncon fushatën e emërimeve në sistemin arsimor, duke apeluar pranë Ministres së Arsimit, zonjës Nikolla për të marrë masa urgjente për të mos lejuar degradimin e mëtejshëm. Ndër të tjera në letrën drejtuar kreut të MAS thuhet se “E shohim të udhës t’ju informojmë rreth disa emërimeve pa vend të bëra në fushën e arsimit në Librazhd. Janë emëruar drejtorë shkolle, njerëz që prej 20 vitesh kane qenë në strukturat e PD-së dhe deri kryetar i SHIK-ut për Librazhdin sikurse është Shefki Bardhoshi, i cili në vitin 1997 ka masakruar njerëz socialistë në Urën e Mifolit dhe në Fier bashkëpunëtor i Gazidedës dhe më vonë bashkëpunëtor i Arben Sefgjinit, ish drejtorit të Tatimeve, para vitit 2009. Zoti Bardhoshi punonte në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve në Elbasan, në varësi të Sefgjinit dhe u shkarkua nga PD-ja për korrupsion. Ky person, i cili nuk ka marrë asnjë shkallë kualifikimi si mësues, çuditërisht emërohet drejtor shkolle në Dragostunjë, ku sipas Ligjit nr. 69/2012, nuk mund të punojë as mësues e jo më drejtor shkolle. Ky person, po të ishte me moral, mund të ishte edhe sot tek PD-ja. Dhe e fundit, për këtë person, si mund të emërohen në të njëjtën shkollë vëlla e motër, pasi prej vitesh në këtë shkollë është mësuese edhe motra e tij, mësuese e të njëjtit profil; Gjuhë-Letërsi. Si do të kontrollojë ky “drejtor” motrën e tij në lëndën, për të cilën kjo ka më shumë njohuri pasi ka marrë dy shkallë kualifikimi dhe ky nuk ka asnjë shkallë kualifikimi, për shkak se nuk ka punuar në këtë profesion as dy vite pune! A nuk kemi të bëjmë këtu me një konflikt të hapur interesi? Jo vetëm kaq, por katër muaj më parë në një takim që ka pasur deputeti i zonës Taulant Balla me banorë të këtij fshati, dikush i ka ngritur këtë shqetësim se pse është emëruar ky person drejtor i kësaj shkolle dhe Balla ia ka mbyllur gojën duke i thënë se “në shtator do ta ndreqim këtë gabim”.

Po kështu në shkollën 9-vjeçare Babje është emëruar një person, i cili në vitin 1993 është shkarkuar për lëshim dokumenti fallco dhe këtë mund ta verifikoni në Indeksin e Amzës së kësaj shkolle, ku në Numrin e Amzës së dikujt tjetër është lëshuar një dokument shkollor për tjetër njeri, i cili nuk ka qenë asnjë ditë në këtë shkolle dhe këtë dokument e ka përdorur në Itali. Ky dokument mban datën 06.04.1993, ku thuhet shprehimisht:

Lënda: Vërtetim për efekt dokumenti shkollor

Vërtetojmë se Fatos Demir Leka, i datëlindjes 25.04.1978 ka mbaruar shkollën 8-vjeçare në vitin shkollor 1992-1993 me Nr. amze 489/5. Lëshojmë këtë dokument në bazë të kërkesës së të interesuarit për efekt dokumenti shkollor.

Drejtori i shkollës Rexhep Qoshku

Kështu pra, zonja Nikolla, në vend të nxënësit Fatos Qoshku, i cili mban numrin e tij real në Amëz është lëshur ky dokument për një tjetër person po me këtë emër. Kjo pasi Amza me numër 489/5 i përket Fatos Qoshkut dhe jo Fatos Lekës! Ky është vërtet skandal dhe për këtë rast në ato vite Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet, por që u mbyllën në mënyrë enigmatike. Gjithsesi, problemi nuk është tek hetimet, por tek dokumenti fallco i lëshuar nga ana e ish drejtorit dhe që pas disa vitesh emërohet sërish drejtor i kësaj shkolle!

Po kështu, në Shkollën “Genc Leka” në qytetin e Librazhdit është emëruar drejtor një ish- mësues i shkollës se mesme Orenje, Kujtim Alla, nxënësit e të cilit në provimin e maturës në lëndën e Matematikës, nga 22 nxënës, 16 prej të cilëve ngelën në provimin e Matematikes, pra kaluan vetëm 6 nxënës! Ku është rezultati i punës së këtij mësuesi? Për këtë rezultat është “graduar” ky mësues? Nuk e kuptojmë gjithashtu se si drejtori i Zyrës Arsimore Librazhd vazhdon të punojë me stafin e paraardhësit të tij, të cilët i ka ende anëtarë të kryesisë së PD-së! Si është e mundur që të gjithë ish- drejtorët e arsimit në Librazhd, ata që iu kanë marrë nga 2-3 mijë euro mësuesve për tu futur në punë, janë emëruar në vende komode, sipas dëshirës së tyre?

SINDIKATA E ARSIMIT LIBRAZHD