Kledi Shegani: Arsimi i të gjitha cikleve, vlerë kombëtare

1259
Prof. Kledi Satka (Shegani) ka lindur në Tiranë në 27.05.1973. Ka mbaruar me rezultate të shkëlqyera Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Dega Gjuhë & Letërsi Shqipe në vitin 1995. Eshtë pedagoge e lëndës së Sociolinguistikës dhe Redaktimit Gjuhësor pranë Departamentit të Gjuhës Shqipe në Universitetin e Tiranës . Eshtë autore e shumë artikujve dhe kumtesave të mbajtura në konferenca dhe aktivitete shkencore brenda dhe jashtë vendit. Ka marrë gradën “Doktor i Shkencave” në vitin 2009 me temën: “Mosha si ndryshore sociolinguistike nga “baby talk” te “peer groups”. Tani është në fazën e fundit të procedurave për marrjen e titullit “Profesor i asociuar”. Në muajin shkurt të këtij viti ka botuar monografinë “Identitet përmes gjuhës. Nga fëmijëria në adoleshencë“. –
-Dëshiroj ta nis intervistën duke ju pyetur për një çështje aktuale që shkakton gjithmonë debate. E kam fjalën për rishikimin e standardit të gjuhës shqipe. Si mendoni ju a është në interes të kombit kjo kërkesë e grupeve të caktuara gjuhëtarësh & a është një nismë e nxituar?
Asnjë nismë për të rishikuar apo përmirësuar diçka nuk mendoj që është e nxituar. Emëruesi i përbashkët i këtyre nismave duhet të jetë padyshim përgjegjshmëria dhe dashuria për gjuhën. Standardi duhet rishikuar dhe përmirësuar aty, ku vetë rrjedha e gjuhës e sheh të nevojshme. Qëndrimet ekstreme për të mos ndërhyrë në standard, apo për ta ndryshuar atë, nuk më duket se janë me vend në realitetin e sotëm, jo vetëm gjuhësor. Duhen riparë rregulla drejtshkrimi, ashtu siç duhet marrë në konsideratë gjithë ajo pasuri e madhe leksikore nga gjithë trevat shqiptare. Gabimisht në fakt, për mendimin tim, përmirësimi i standardit lidhet me raportet e dy dialekteve në standard. Gjuha është më shumë se kaq. Më pëlqen të citoj Heideggerin , sipas të cilit :”gjuha është tepër e rëndësishme për t’ua lënë vetëm gjuhëtarëve”. Rishikimi i standardit do të kërkonte kosto përtej studimeve gjuhësore (edhe pse një pjesë e këtyre studimeve nuk janë realizuar), kosto ekonomike që do të shoqëronin politika dhe strategji institucionale të mirëstudiuara. Në kontekstin e sotëm, praktikisht është e pamundur për shumë arsye që lidhen jo vetëm me gjuhën dhe funksionet e saj. 
-Jeni pedagoge, ky është profesion që ka nisur si një dëshirë e juaja, apo ishte zgjedhje e një profesioni fisnik e të denjë për ju e familjen tuaj ? 
Unë e dashuroj profesionin tim. Besoj që dëshira për të qenë pedagoge ka lindur që në vitet kur kam qenë studente. Bënte pjesë në ato ëndrra , të cilat njeriut i duket se i ka pasur gjithmonë brenda vetes dhe vetëm pret momentin t’i realizojë. Kjo nuk do të thotë që është më pak e rëndësishme fisnikëria e një profesioni të tillë që shumëfishon përmasat njerëzore dhe përgjegjësinë profesionale. Në këtë kuadër, do ta rizgjidhja e do ta rizgjidhja përsëri magjinë që më dhuron të qenit pedagoge dhe sidomos pedagoge e gjuhës shqipe.
– A po vlerësohet sot gjuha shqipe sa duhet në universitete? 
Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që gjuha shqipe ka një rol dhe një vend të patjetërsueshëm që i kalon kufijtë e universitetit. Fakti që thuajse në të gjitha fakultetet e universiteteve tona lënda e gjuhës shqipe ka hyrë si lëndë me zgjedhje tregon që vlerësimi për gjuhën ka marrë përmasë tjetër. Ne e dimë që për standardin e gjuhës kanë njësoj nevojë si gjuhëtarët, gazetarët, juristët, ekonomistët apo edhe mjekët dhe shkencëtarët. Mendoj që është rritur ndërgjegjësimi për atë që përfaqëson gjuha dhe sidomos gjuha e folur dhe e shkruar si duhet. “Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij,- thotë profesor Cabej, e më duket se me këtë fjali i ka thënë të gjitha. 
– Cilët janë studentët që mbeten më tepër në kujtesën e nje pedagogeje ? 
Kur lexoj këtë pyetje përpara syve më dalin portete studentësh nëpër vite, që me individualitetin e tyre kanë lënë gjurmë më shumë sesa të tjerët në kalendarin e kujtimeve të punës si pedagoge. Natyrisht janë ata studentë që përgatiten, pyesin, diskutojnë dhe bashkëbisedojnë sistematikisht. Janë ata ish studentë,të cilët, tani profesionistë të zotë tregojnë çdo ditë se vlera e dijes asnjëherë nuk humbet në cilindo sistem referimi. Unë, në fakt kam një privilegj më tepër, sepse punoj edhe me studentët e huaj që mësojnë gjuhën shqipe pranë Universitetit të Tiranës. Kontigjenti i studentëve që studjojnë gjuhën shqipe përfshin një spektër të gjerë . Vijnë studentë të degës së shqipes në universitete të ndryshme nga: Kina, Bullgaria, Serbia, etj, në bazë të marrëveshjeve me Universitetin e Tiranës. Por, ka edhe studentë amerikanë, japonezë, indianë, që vijnë për të thelluar punën e tyre shkencore për tema të ndryshme lidhur me Ballkanin dhe vendin tonë. Një mozaik shumëngjyrësh, një kombinim interesant përvojash dhe kulturash, që i bashkon gjuha shqipe dhe që transmetohen nëpërmjet saj. Po kaq i larmishëm është edhe repertori i studentëve që mbeten gjatë në kujtesë. 
– Cila është metoda që duhet të zgjedhë një pedagoge për të tërhequr vëmendjen e studentëve pa i lodhur ata ? 
Mendoj që metoda më e mirë është bashkëbisedimi, pra kur studenti e ndjen që është bashkautor i orës së leksionit. Diskutimin bashkarisht edhe të detajeve më minimale të orës së mësimit, mënyrës së organizimit të leksioneve, seminareve dhe lirshmërinë në shprehjen e mendimit i vlerësoj si elemente të rëndësishme në mbarëvajtjen e punës . Gjithmonë duhet zgjedhur momenti edhe për të dhënë një koncept të ri, për të diskutuar dhe për të vlerësuar mendimin e studentëve. Megjithatë , çdo orë kemi se çfarë të mësojmë për të përmirësuar punën dhe komunikimin me studentët tanë.
– Si është raporti juaj me studentët ? 
Eshtë një raport që çdo ditë mbushet e bëhet më i bukur. Eshtë një raport që më emocionon çdo orë mësimi dhe më bën të ndihem shumë mirë kur jam mes tyre. Sa herë e mendoj, më vjen në mend eksperimenti i enëve komunikuese, simbolikë që më së miri e identifikon këtë raport. Eshtë një raport që të dy palët investojnë vazhdimisht të mirëkuptohen dhe të realizojnë procesin mësimor në mënyrën më të mirë të mundshme. Eshtë një raport që nuk mbetet vetëm në auditorë, vazhdon dhe nuk mbaron. 
– Një problematikë e hasur ditëve tona janë fjalët e huaja të përdorura vend e pavend, nga parlamenti në institucione, në shkolla e deri në media. Mos vallë situata ka dalë jashtë kontrollit dhe ç’duhet bërë për ta ndryshuar? 
– Duket si epidemi, që ka përfshirë për fat të keq institucionet, median dhe thuajse të gjitha mjediset, ku “veshja gjuhësore” zgjidhet në shumicën e rasteve si e papërshtatshme dhe e ngarkuar me fjalë të huaja. Ndihet një tendencë modernizmi, apo një prirje për të “përqafuar” fjalën e huaj në institucione, media apo dhe mjediset tona shoqërore. Për ta ndryshuar?! Besoj se në kushtet e sotme është “mision i pamundur” . Ndërgjegjësimi i gjithësecilit për gjuhën dhe rëndësinë e përdorimit të sa më shumë fjalëve shqip në leksikun aktiv të përditshmërisë sonë më duket se është një hap i parë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. 
-Nëse do të mund të ndryshonit diçka në arsimin shqiptar, cfarë do të ishte ajo ?
Mentalitetin do ndryshoja. Arsimi duhet parë si vlerë kombëtare dhe duhet konsideruar i tillë në të gjitha hallkat e zinxhirit, që nga arsimi parashkollor dhe deri tek ai pasuniversitar. Kjo vlen si për politikat shtetërore, ashtu edhe për të gjithë ata që punojnë në sistemin arsimor. Duhet investuar më shumë për përmirësimin e vlerave aktuale dhe në një fazë të mëpastajme mund të mendohet për ndryshime, të cilat gjithmonë duhet të bëhen në përputhje me kontekstin shoqëror dhe sistemin tonë arsimor.
-Cfarë ju bezdis me tepër ? 
Gënjeshtra dhe hipokrizia. Më duken se e tjetërsojnë njeriun dhe janë dy cilësi, me të cilat nuk jam pajtuar asnjëherë. Më bezdisin deri në shqetësim padrejtësitë dhe mungesa e vlerave njerëzore dhe profesionale. 
– Një këshillë për të gjithë ata që dëshirojnë të ndjekin hapat e profesionit tuaj…
Dëshira për të ndjekur një profesion mendoj që lind së brendshmi. E megjithatë, është bukur të jesh pedagoge, është bukur të kesh një profesion fisnik në shërbim të brezit të ri, të atij brezi që e bën të bukur jetën . Eshtë një mundësi që raportin me vitet ta shohësh ndryshe. Vitet ikin…e mes studentëve gjithmonë jeton me ritmin universitar… 
Sigal