Altin Shegani:Fillojnë aplikimet për Doktoraturën, dekani i Juridikut: Ja kriteret për tu pranuar

467
Sigal

ZYRTARE/Hapet faza e aplikimeve në universitetet publike për ciklin e Doktoraturës

Nga data 21 shkurt deri në datën 15 mars, është faza e aplikimit për ciklin e Doktoraturës në universitetet publike në Shqipëri. Aplikimet do të bëhen sipas kritereve të përcaktuara nga vendimi për Doktoraturat në universitetet publike. Miratimi i programeve për doktoraturën është bërë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe ligjit Nr. 9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Kështu, sipas vendimit të miratuar, kuotat e pranimit në programet e studimeve të ciklit të tretë, Doktoratë, në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, për vitin akademik 2012 – 2013 do të jenë 1305 pranime. Numri i pranimeve për kandidatët brenda territorit të vendit janë 1141 pranime, për kandidatët nga trojet jashtë kufijve të vendit janë 154, për shtetasit e huaj numri i pranimeve do të jetë 10. Për të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë Publik, kuotat e pranimit janë përcaktuar nga listat e mëposhtme, ndërkohë kuotat e pranimeve për shtetasit e huaj, që do të studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë, administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Kriteret e domosdoshme për aplikim

Aplikuesit që duan të aplikojnë për ciklin e Doktoraturës për vitin akademik duhet të plotësojnë disa kritere bazë. Kriteret janë rigoroze dhe mbështeten në rregulloren e Doktoraturës. Në lidhje me kriteret ka folur në një prononcim për “Telegraf” dekani i Fakultetit të Drejtësisë Prof. Dr. Altin Shegani. Ai është shprehur se: “Duhet thënë se çdo departament ndërton dhe kriteret specifike, të cilat i bashkëngjiten kritereve bazë. Një ndër kriteret është: Deklarata e gatishmërisë, nga një udhëheqës. Në këtë rast udhëheqësi me titull shkencor pranon që të marrë nën udhëheqje atë kandidat me temën përkatëse. Përpos kësaj kandidati ka nevojë  që të ketë dhe dy rekomandime nga profesor të tjerë, të ngjashëm me profilin e vetë, i cili ka përfunduar studimet”. Ndërkohë dekani është shprehur se: “Ndërkohë një tjetër kriter që duhet të përmbush kandidati është fakti se ai duhet të paraqesë një platformë kërkimi të të gjithë arkitekturës së temës doktorale, të cilën ai do realizojë në fund. Kjo platformë do i lejojë qoftë komisionet Ad-hoc të ngritura nëpër departamente, qoftë Këshillit të profesorëve në fund, si organi final i cili jep verdiktin final”. Po ashtu një pjesë e kritereve kanë të bëjnë dhe me aftësinë për të udhëhequr, sepse jo gjithmonë mund të gjesh një udhëheqës. Përveç aftësisë për të udhëhequr, ka dhe një kriter tjetër i cili ka të bëjë me numrin e kufizuar të kandidatit që profesorët udhëheqin. “Tashmë ka një zhvillim të kohëve të fundit, ku një udhëheqës doktoral nuk mund të udhëheq më shumë se dy kandidatë. Kjo e vështirëson më shumë procesin, pasi ne jemi në kushtet kur nuk kemi shumë profesorë me tituj dhe grada, por gjithsesi do të gjejmë një zgjidhje të arsyeshme”, ka theksuar dekani i Drejtësisë.

Afati për aplikimin

Duhet thënë se afati tre javor i vënë në dispozicion, deri në datën 15 mars është mese i mjaftueshëm për regjistrimin e të gjithë kandidatëve. Në këto kushte, të gjithë studentët kandidatë do të kenë kohë të mjaftueshme, për të konsoliduar qoftë mendimin apo prirjen për zgjedhjen e drejtimit dhe udhëheqësit të caktuar. Duhet thënë se një aplikim për doktoraturë nënkupton së pari që dosja duhet të plotësohet dhe të kompletohet lidhur me disa kritere.

Tarifa e shkollimit dhe kuotat e pranimit

Tarifa e shkollimit për programet e studimeve të ciklit të tretë, të Doktoratës, është 216 320 (dyqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e treqind e njëzet) lekë. Tarifa e shkollimit paguhet në këste, të përcaktuara nga institucioni publik i arsimit të lartë. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i secilit institucion publik të arsimit të lartë, pa efekte buxhetore shtesë.

Kotat e pranimit janë 1305 të ndara si më poshtë vijon:

a) Për kandidatët brenda territorit të vendit 1141;

b) Për kandidatët nga trojet jashtë kufijve të vendit 154;

c) Për shtetasit e huaj 10.